Papa Françesk ka vlerësuar se vrasja masive e armenëve nga ushtarët otomanë, gjatë Luftës së Parë Botërore, ishte “gjenocid”.
Mëtutje, gjatë meshës së sotme në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, duke e shënuar 100 vjetorin e kësaj tragjedie, Papa tha se “në shekullin e kaluar familja jonë njerëzore kishte jetuar nëpër tri tragjedi masive dhe të paprecedente: e para, që gjërësisht është konsideruar si gjenocidi i parë i shekullit 20-të, e goditi popullin tuaj armen”.
Me këto fjalë Papa Françesk e citoi deklaratën e paraardhësit të tij, Gjon Pali i Dytë, dhe patrikut armen në vitin 2000.
Papa Françesk ishte së bashku me patrikun e Armenisë, Nerses Bedros XIX Tarmouni, në meshën e sotme, ku janë përfshirë edhe rituale të Kishës Katolike Armene.
Raportohet se ishte i pranishëm edhe presidenti i Armenisë, Serzh Sarkisian.
Shfrytëzimi i fjalës “gjenocid” me siguri se do ta zemëroj Turqinë, e cila pranon se armenët janë vrarë në numër të madh, por gjithnjë e përmend të dhënën se qindra mijëra turq janë vrarë gjatë gjakderdhjes para 100 vjetësh./rel/