
Pasi Washingtoni njoftoi vendosjen e tarifave drastike, të gjitha tregjet më të mëdha të aksioneve në botë ranë ndjeshëm.
Që kur presidenti amerikan Donald Trump shpalli tarifa 10 për qind për të gjitha importet nga vendet me të cilat SHBA ka deficitin më të madh tregtar dhe tarifa shtesë reciproke, në bursat botërore mbretëroi paniku.
Kjo mund të shkaktojë një përshkallëzim të luftës doganore, ndërprerje në zinxhirët e furnizimit dhe tregtisë ndërkombëtare, një rritje të inflacionit dhe një ngadalësim të rritjes së ekonomive më të mëdha në botë, madje edhe një recesion në disa prej tyre.
Tregjet aziatike të aksioneve ishin të parat që u goditën të enjten sepse Trump njoftoi tarifa drastike reciproke për importet nga Kina, Japonia, India, Tajvani, Koreja e Jugut…
Importet nga Kina, të cilat tashmë i nënshtrohen detyrimeve doganore prej 20 për qind, do t’i nënshtrohen detyrimeve shtesë prej 34 për qind në të ardhmen, 24 për qind për importet nga Japonia, 26 për qind nga India, 25 për qind nga Koreja e Jugut.
Si rezultat, çmimet e aksioneve ranë në të gjitha bursat aziatike të enjten, kryesisht në Japoni, Korenë e Jugut dhe Hong Kong.
BE njoftoi kundërmasa
E ndërsa të gjithë indekset më të rëndësishme në Wall Street ranë dje, i vetmi që u rrit ishte indeksi i ‘frikës’ VIX, i cili kaloi mbi nivelin 30 pikësh për herë të parë që nga gushti.
Kjo do të thotë se investitorët po sigurojnë gjithnjë e më shumë portofolet e tyre kundër një rënie të mundshme të mëtejshme të çmimeve të aksioneve.
Trump tha të enjten se është i hapur për negociata.
“Administrata Trump mund të jetë duke luajtur një “lojë frikacake” me partnerët tregtarë, të cilët do të dorëzohen të parët, por investitorët nuk janë të gatshëm të presin për rezultate. Ata do të shesin fillimisht dhe do të bëjnë pyetje më vonë,” tha Michael Arone, strateg në State Street Global Advisors.
Ndaj edhe në bursat botërore në ditët në vijim pritet një tregtim i pasigurt.