Pandemia godet naftëtarët, përgjysmohen edhe të hyrat për arkën e shtetit nga ky sektor

E publikuar: 09/08/2020 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pandemia Covid-19 përveç shëndetit publik, sikur çdo sektor tjetër në ekonomi, ka goditur edhe sektorin e tregut të derivateve.

Sektori i naftës si gjenerues i arkës së shtetit numëron edhe një numër të madh të të punësuarve, por për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe ardhjes së një numri të vogël të bashkatdhetarëve në këtë verë, ka rënie në shitjen e naftës në masë të madhe. Kurse, të hyrat nga ky sektor për buxhetin e shtetit gati janë përgjysmuar.

Ndonëse nëse vazhdon pandemia dhe bie qarkullimi i shitjes së derivateve, rrezikohen të mbyllen edhe një numër i madh i vendeve të punës në këtë sektor.

Çmimet e derivateve kishin rënë në mënyrë drastike në fillim të shfaqjes së virusit Covid-19, për shkak edhe të rënies së çmimeve në bursën ndërkombëtare.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë për KosovaPress, se po vazhdon situatë e vështirë në tregun e derivateve, pasi edhe qarkullimi ka rënë dukshëm.

Berjani thotë se sektori i naftës mbush arkën e shtetit me mbi 30 përqind, ndërsa është harruar nga shteti për mbështetje në kohë pandemie.

“Kjo situatë është e vështirë, qarkullimi është i vogël kur shihet se në këtë kohë pandemie neve na mungon edhe diaspora. Kjo do të thotë që sektori i naftës nuk është në nivelin siç ka qenë… Sa i përket çmimeve të naftës në pandemi, ka qenë deri 60 cent të ndikuara nga bursa dhe organizata OPEC. Në këtë situatë prapë se prapë çmimet janë reale dhe më të ulëta në rajon. Megjithatë me ndikimet e pandemisë qarkullimi nuk është sikur në vitin e kaluar”, thotë Berjani.

Zvogëlim të shitjes së derivateve ka pasur edhe në “Hib petrol”.

Drejtori i përgjithshëm në “Hib petrol”, Hysen Lajçi thotë për KosovaPress, se pandemia Covid-19, ka pasur efekt negativ mjaft të madh edhe në këtë kompani.

Lajçi thotë se nëse vazhdon kjo gjendje nuk do të mund t’i mbajnë në punë punëtorët sa janë aktualisht 1 mijë e 300.

“Si rezultat i mos ardhjes së diasporës të gjitha njësitë tona kanë rënie të shitjeve në minimum deri 40 përqind. Infuzioni më i madh për ekonominë e Kosovës është diaspora… pasojat në këtë sektor janë shumë të mëdha dhe në qoftë se qeveria nuk merr masa më shpejt, për ditë e më shumë pasoja do të bëhen. Ne deri tash kemi vazhduar me pagesën e pagave, nuk kemi larguar punëtorë prej punës, por në qoftë se vazhdon kjo situatë, nuk do të mund të mbajmë krejt stafin në punë. Për momentin i kemi 1 mijë e 300 punëtorë të cilët marrin rroga në korporatën tonë”, thotë Lajçi.

Në gjendje të pa lakmueshme është edhe “Petrol Kabashi” në Fushë Kosovë, ku rreth 50 përqind ka rënë shitja e derivateve në pikat e shitjes.

Një arsye tjetër e rënies përveç pandemisë, sipas Atdhe Kabashit, pronar në “Petrol Kabashi”, është edhe mos ardhja e bashkatdhetarëve në këtë sezon.

“Gjendja për momentin është shumë e rëndë, realisht shitjet kanë rënë mbi 50 përqind. Kemi pasur pritje të mëdha për sezonin e verës e cila nuk është realizuar as 30 përqind… mbështetja e shtetit ka qenë shumë e vogël, vetëm 50 përqind e stafit janë paguar nga një herë nga 170 euro, mbështetje tjetër nuk ka pasur… Me gjithë vështirësitë që i kemi pasur, ne nuk kemi larguar punëtorë sepse edhe pse puna në pompa ka rënë, ne stafin duhet me mbajtur pa tjetër. Ne çka kemi pompa të gjithë jemi me restorante dhe markete, puna ka rënë, por punëtorët duhet me i mbajt patjetër në punë… Te ndërtimi punimet nuk janë ndalur as gjatë pandemisë edhe tash, por te shitja ka ndikuar shumë”, thotë Kabashi.

Ai ka thënë se çmimet e derivateve nuk janë stabile. Sipas tij, tre muaj më parë pati rënie të madhe në çmime, ndërsa tash janë duke u rritë çmimet.

Kabashi theksoi se çmimet e derivateve aktualisht janë nga 0.85-0. 90 cent për litër.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress, se në këtë periudhë të pandemisë importi ka shënuar rënie për 13 milionë litra.

“Jo vetëm importi i naftës, por shumë produkte të tjera gjatë kësaj pandemie kanë pësuar rënie. Rënia nuk është shumë e madhe në aspektin statistikor kemi rreth 3 përqind më pak sasi derisa në aspektin e vlerës nafta për shkak të bursës ndërkombëtare ka pasur një ulje drastike. Në aspektin e vlerës kemi rreth 39 përqind më pak vlerë të importit të naftës… Nëse në vitin e kaluar deri në muajin korrik ka pasur 333 milionë litra naftë, në të njëjtën periudhë të vitit 2020 kemi pasur 320 milionë litra import… Derisa ka rënie edhe në aspektin e vlerës për shkak se në nivelin global ka pësuar rënie si çmim”, thotë Stavileci.

Pandemia ka goditur edhe tregun e patundshmërive. Atdhe Kabashi edhe ndërtues i banesave, theksoi se kanë rënë kërkesat për banesat dhe nuk ka shitje./kp