Pandeli Majko për Rugovën dhe Klosin

E publikuar: 27/04/2015 17:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pandeli Majko: Që Ibrahim Rugova të ketë qenë “tradhtar” i Kosovës, kjo është po aq e vërtetë sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë.
Ish Kryeministri i Shqipërisë në kohën e luftës në Kosovë, Pandeli Majko, i është bashkuar debatit të nisur nga ish Shefi i SHIK’ut shqiptar, Fatos Klosi, e në të cilin është përfshirë edhe Kryeministri kosovar, Isa Mustafa, e analistët në Prishtinë.

Gjithçka kishte nisur pas deklaratës së Klosit se politika e Rugovës ishte udhë pa krye, e të pasuar nga reagimi i Mustafës i cili ka kundërshtuar fort deklaratat e ish kreut të SHIK’ut duke e quajtur atë ‘gojë të keqe’.

E Majko protagonist i asaj kohe, thotë se Rugova ka qenë ‘tradhtar” siç e pretendojnë Klosi e përkrahësit e tij po aq sa Klosi të ketë luftuar me armë me dorë, duke ironizuar me shpalljen e tij ‘veteran i luftës së UÇK’së“.

“Lexova në media që ‘veterani’ i Luftës se Kosovës, Fatos Klosi ka fyer jo vetëm Presidentin e nderuar Rugova. Që Ibrahim Rugova të ketë qenë “tradhtar” i Kosovës, kjo është po aq e vërtete sa Klosi të ketë luftuar me armë në dorë”, shkruan Majko në reagimin e tij.

“Sot Kosova dhe publiku shqiptar duhet të përgatiten për Gjykatën Speciale Ndërkombëtare. Ajo do të gjykojë protagonistët e Luftës së shqiptarëve. Kjo është padyshim një ngjarje e rëndë”.

Ish kryeministri shqiptar thotë se të gjithë duhet të jemi në krah të UÇK’së, drejtuesve të saj dhe pastërtisë së kauzës së lirisë së Kosovës për të cilët u flijuan heronjtë e vërtetë të Kosovës.

“Sa më i përçarë që të jetë faktori shqiptar aq më e rëndë do të jetë goditja. Kjo dhe të tjera, janë arsyeja që mendoj se debatet shterpë me “heronj” dhe “tradhtare” për Luftën e Kosovës janë në kohën dhe vendin më të keq për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Shpresoj të jetë rastësi”, thotë Majko./Politiko.net.