Samiti i Berlinit do të mbahet brenda Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria do të jetë vendi pritës.
Tirana është veshur me flamujt e Bashkimit Evropian. Teksa mësohet se sot (e hënë) veç takimeve zyrtare liderët evropianë do të priten me disa element surprizë, tradicionalë, si këngë e valle popullore.
Piramida do të jetë mjedisi kryesor ku do të zhvillohen aktivitetet, që nisin në orën 11 të mëngjesit të 16 tetorit e përfundojnë në orën 19:30. Në hyrje të piramidës është vendosur edhe tabela e Samitit ku do të realizohet fotoja e përfaqësuesve të BE-së, me mikpritësin Edi Rama. Samiti do të hapet me fjalën e kryeministrit Rama, kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentes së Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe presidentit të këshillit të BE-së, Charles Michel.
Më tej do të ketë dy forume pune me tematikë integrimin e rajonit në tregun unik me BE dhe sfidat e mundësitë për investime e rritje në Ballkan. Në drekën e punës të planifikuar në orën 14 do të diskutohet mbi marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Pasditja e të hënës do të jetë edhe më ceremoniale me hapjen zyrtarisht të piramidës e cila do të shoqërohet me vizita në godinë e shfaqje të një video të transformimit të piramidës. Në agjendë planifikohet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp mes Ramës, kancelarit Scholz dhe presidentes së KE-së, Von der leyen; që pas samitit të BE-së, në 6 dhjetor e shndërrojnë sërish Tiranën si kryeqytetin evropian me Samitin e Berlinit.
Ursula Von Der Leyen është zyrtarja e parë e BE-së që erdhi në Shqipëri një ditë para samitit, ku u prit këtë të diel në aeroportin “Nënë Tereza” nga ministrja e Shtetit Elisa Spiropali; teksa kishte një konferencë me kryeministrin Edi Rama. Ajo ka takuat edhe presidentin, Bajram Begaj. Ajo sot pritet ta prezantojë një plan i cili është në favor të përshpejtimit të vendeve tona drejt BE-së, që është vlerësuar si mjaft i rëndësishëm.
Në samit pritet të nënshkruhen disa marrëveshje që kryesisht lidhen me zhvillimin ekonomik të rajonit.
Për të hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e samitit për procesin e Berlinit, policia shqiptare është konsultuar me Europol dhe Interpol.
Para gjatë dhe pas samitit pritet të angazhohen 200 punonjës nga Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës.
Mbrëmë nga ora 20.00 e deri në orën 20.00, të së hënës do të qëndrojnë të bllokuara akset rrugore që konsiderohen perimetër sigurie si bulevardi dëshmorët e kombit dhe Bajram Curri. Rruga “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Fatmir Haxhiu”, “Lekë Dukagjini dhe “Ukraina e lirë”.
Brenda këtij perimetri do të ndalohet kalimi edhe i këmbësorëve, përveç rezidentëve dhe gjithë bizneset do të mbyllen.
Ndërkohë që gjatë të hënës pritet të ketë kufizime të pjesshme dhe në akse të tjera. Rruga që lidh aeroportin e Rinasit me ish sheshin shqiponja, pjesa e unazës deri tek rreth rrotullimi i AQUK-ut për të vazhduar me pallatin e brigadave rrethrrotullimin e qytetit student deri tek bulevardi bajram Curri. Kufizimet nisin nga ora 8.00 deri në 12.00 dhe nga ora 15.30 deri në orën 20. 00.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.