Pallaska: E paqartë që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës

E publikuar: 06/11/2020 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aksioni i bastisjes së shtëpisë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili nisi qysh në orët e hershme të mëngjesit nga hetuesit e Dhomave të Specializuara tashmë ka përfunduar. E gjitha bastisja ndodhi në praninë e Dastid Pallaskës, avokat mbrojtës i ish-kreut të shtetit. Pallaska e ka konsideruar si të paqartë që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës.

Pallaska po ashtu tha se bastisja ishte e përgjithësuar dhe vlerëson se kjo bastisje sugjeron që aktakuza ndaj Thaçit mbetet një shënjestër në lëvizje përkatësisht duket që Prokuroria nuk kanë prova për të mbështetur një aktakuzë që tanimë e kanë ngritur.

Avokati Dastid Pallaska tha se për mbrojtjen e Thaçit janë angazhuar edhe disa avokatë të tjerë ndërkombëtarë.

“Sot në këtë cilësi isha i pranishëm gjatë zbatimit të një urdhri bastisjeje në rezidencën e zotëri Thaçit këtu në Prishtinë në komunën e Graçanicës. Bastisja është kryer, ka përfunduar, ndërsa sa i përket qëllimeve të bastisjeve mund të them që ato ishin jashtëzakonisht të përgjithshme rrjedhimisht nuk dukej se kishte ndonjë shënjestrim te duhur të bastisjes që është parakusht procedural që të urdhërohet bastisja. Po ashtu dhe pa nënvlerësuar këtë fakt mbetet ende e paqartë si në aspektin procedural, ashtu edhe në logjik që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës. Ajo çka kjo bastisje sugjeron është që aktakuza ndaj zotëri Thaçit mbetet një shënjestër në lëvizje, përkatësisht duket që Prokuroria nuk kanë prova për të mbështetur një aktakuzë që tanimë e kanë ngritur”, deklaroi Pallaska para gazetarëve.

Ai ka ftuar mediat që të respektojnë procedurat për komunikim, derisa ka thënë se sa herë të jetë e nevojshme do komunikojnë më publikun për këtë proces që ka mungesë të transparencës.

“Do të paraqitemi sa herë që do kemi diçka për të komunikuar në lidhje me këtë rast sepse e dimë që të gjithë qytetarët janë të interesuar që të kuptojnë se çka po ndodh posaçërisht duke marrë parasysh mungesën e tërësishme të transparencës që e ka shoqëruar këtë rast dhe që pritet ta shoqërojë këtë rast duke marr parasysh praktikën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Dhomave të Specializuara”, tha ai.

Që nga mëngjesi tri vetura të EULEX-it me zyrtarë hetues nisën bastisjen e shtëpisë së ish-presidentit, Hashim Thaçi një ditë pas shkuarjes së tij në Hagë, pasi edhe iu konfirmua aktakuza nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.