Krerët e të tria institucioneve kryesore të Kosovës, Avokati i Popullit dhe deputetë nga katër parti i kanë dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese komentet përkitazi me meritat e kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), përmes së cilës Gjykatës i është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të presidentit Hashim Thaçi, nëpërmjet të cilit i propozuari i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, është caktuar mandatar për formimin e Qeverisë së re. Palët kanë ofruar komente konfrontuese.
Ora 16:00 e së premtes ka qenë afati i fundit kur palët e interesuara kanë mundur të dorëzojnë pikëpamjet e tyre në Gjykatë, institucion ky që saktësisht një javë më parë, me shumicë votash, ka vendosur të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj, dhe që të pezullojë menjëherë zbatimin e Dekretit që presidenti e kishte firmosur një ditë më herët. Për pasojë, planet e presidentit për një qeveri të re, janë pezulluar. Kushtetuesja ka kumtuar se kërkesën do ta shqyrtojë me urgjencë, shkruan KOHA.
Në këtë gjykatë i kanë thënë gazetës se komente përkitazi me meritat e kërkesës, deri në fund të orarit të rregullt të punës së të premtes, kanë dërguar: presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, Avokati i Popullit Hilmi Jashari, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e LVV-së, Arbërie Nagavci, Grupi Parlamentar i LDK-së, deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, si dhe deputetët nga Aleanca Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli e Mirlindë Sopi-Krasniqi, të mbështetur edhe nga deputetët e Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala, Haxhi Shala dhe Albulena Balaj-Halimaj.