Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj ka qenë i ftuar në edicionin festiv të programeve të RTV Dukagjinit.
Në emisionin “Në kërkim të babadimrit”, Lekaj ka ardhur ndryshe duke treguar ngjarje të pazakonte që i kanë ndodhur atij gjatë punës së tij si kryetar i Gjakovës.
“Një të diele përderisa isha në detyrën e kryetarit të Gjakovës, dhe po shkoja në një ngushëllim, më ka thirrur në telefon një zonjë. E pyeta për problemin që kishte. Ajo më tha Kryetar, më kanë prurë kunetërit një bazën, a ka mundësi të më dërgosh zjarrfikësit që të ma mbushin me ujë se temperaturat janë të larta e ndoshta lahen fëmijët në të [bazen]”.
“…Më besoni, drejtorin e emergjencave e kam pasur me veti, dhe i kam thënë të lutëm dërgoja një cisternë me ujë”, tregon Pal Lekaj ngjarjen jo të zakontë, sa ishte në krye të Komunës së Gjakovës, përcjell Telegrafi.
Lekaj në këtë emision argëtues, ka shfaqur edhe anën e tij artistike, ku ka zgjedhur të recitoj poezinë e Ali Podrimes, “Unë, Biri Yt, Kosovë”.
Nënkryetari i AAK-së i është nënshtruar edhe një pyetësori interesant për disa nga çështjet aktuale në Kosovë.
Ai në këtë pyetësor i është përgjigjur disa pyetjeve “me spec”. Ka thënë se i vjen mirë që Hashim Thaçi është zgjedhur president i Kosovës, ndërsa i vjen keq pse Qeveria i ka 70 zëvendësministra./Telegrafi/