Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka thënë se brenda këtyre ditëve do të kuptohet përbërja e Qeverisë “Haradinaj”.
Lekaj ka thënë për lajmi.net se nënshkrimi i marrëveshjes me Aleancën Kosova e Re la dhënë rrjedhë konstituimit të institucioneve të reja.
“Ngjarja konkrete e djeshme e nënshkrimit të marrëveshjes me AKR-në i ka dhënë drejtim konkret pozitivë rrjedhës së konstituimit të institucioneve të reja. Ne presim që brenda këtyre ditëve të bëhet e ditur në tërësi ajo çka përmban brenda vetes trupa e qeverisë së ardhshme”, ka deklaruar Lekaj.
Ai më tej ka thënë se vazhdimi i seancës konstituive do të ndodhë shumë shpejt, por ka thënë se paraprakisht do të dakordohen liderët e koalicionit.
“Sa i përket një ditë konkrete se kur do të mbahet vazhdimi i radhës i seancës konstituive, mund të them se ajo do të ndodhë shumë shpejt, por për të paraprakisht do të dakordohen liderët e partive respektive të koalicionit”, ka shtuar Lekaj.
















