Pakistani dënon sulmin e SHBA-së që “vrau” liderin taliban

E publikuar: 22/05/2016 21:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pakistani ka dënuar një sulm të telekomanduar të Shteteve të Bashkuara, i cili besohet se ka vrarë udhëheqësin e talibanëve, Mullah Akhtar Mansur.

Sipas Ministrisë së Jashtme pakistaneze, sulmi brenda territorit të Pakistanit është shkelje e sovranitetit.

“Të shtunën vonë, SHBA ka njoftuar se një sulm i telelekomanduar është kryer në Pakistan, pranë kufirit me Afganistanin, dhe se sulmi ka goditur Mansurin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme në Islamabad.

Sipas saj, SHBA nuk e ka informuar kryeministrin Nawaz Sharif përpara se të sulmonte në territorin e Pakistanit.

“Informacionet me kryeministrin dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë janë ndarë pas kryerjes së sulmit”, thuhet në deklaratë.

Agjencia e zbulimit e Afganistanit ka konfirmuar se Mansur është vrarë nga sulmi i forcave amerikane në provincën Baluçistan të Pakistanit.

SHBA nuk ka lëshuar konfirmim zyrtar.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, ka thënë se SHBA është duke analizuar rezultatet e sulmit./rel/