Pakënaqësi brenda VV’së në Gjakovë ankohen se pushteti po i ‘rehaton’ njerëzit e Mimoza Kusarit

E publikuar: 19/12/2022 18:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një shkresë e Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë po nxjerr në pah se si një prej figurave të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, shefja e grupit parlamentar Mimoza Kusari-Lila, është duke i kapur ndërmarrjet publike që operojnë në këtë komunë, përmes punësimit në to të njerëzve të saj të afërt. Në fakt, për qendrën që udhëhiqet nga deputeti Agon Batusha, po është shqetësuese kjo dukuri. Por, jo për shkak të fenomenit, por po i brengos fakti se si kjo po mund bëhet vetëm nga Kusari-Lila dhe “Alternativa” e saj, derisa thuhet se Vetëvendosje në Gjakovë po përballen “me shakanë cinike që Lëvizja nuk ekziston”.

Një mori pozitash në ndërmarrjet publike dhe spitalin regjional të Gjakovës po del se i ka kapur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje përmes forcës së pushtetit qendror. Këto punësime, partisë së kryeministrit Albin Kurti po i shkaktojnë edhe pakënaqësi brenda saj. Të paktën në qendrën e LVV’së në Gjakovë, ato janë përmbledhur në një shkresë 5 faqesh, ku identifikohen rastet e kapjes së institucioneve nga ana e shefes së grupit parlamentar të LVV’së, Mimoza Kusari Lila. Shkresën që Kryesia e Qendrës së VV’së në Gjakovë e ka dërguar në Kryesinë qendrore të kësaj partie që drejton vendin me 51% të votave e ka siguruar gazeta online Reporteri.net të plotë.

Problem i madh për qendrën e VV’së në Gjakovë, që udhëhiqet nga deputeti Agon Batusha, po del shkaku se njerëzit e rehatuar nga pushteti qendror nëpër pozita të larta në Gjakovë po janë njerëz të afërt vetëm me shefen e tij në grup parlamentar, Mimoza Kusarin-Lilën, dhe partinë e saj “Alternativa”.

Shkresa nxjerr në pah se Lëvizja Vetëvendosje i rehatoi në krye të bordit të ndërmarrjes “KRU Gjakova” dy njerëz të Kusari-Lilës, njëra familjare e burrit të saj e tjetri anëtar i Alternatives.