Pagjumësia dhe shkaqet e saj

E publikuar: 18/01/2016 12:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pagjumësia fillon nga mendimet e tepërta për të nesërmen, probleme, mosfunksionimi në punë, lodhje, dobësi, depresion etj., dhe kjo mënyrë e vazhdueshme e të menduarit shkakton çrregullimet e gjumit. Si pasojë e këtyre trysnive, personi fillon të obsesojë mbas gjumit deri sa kthehet në një pamundësi, ankth dhe se fundi në një fobi. Nga ana e tyre çrregullimet e gjumit përfshijnë disomnite dhe parasomnite. Në disomnite, siç janë insomnia (pagjumësia) dhe hipersomnia, simptoma kryesore është çrregullimi i sasisë dhe cilësisë së gjumit të bërë. Në parasomnite, siç janë tmerrimi në gjumë, urinimi në shtrat dhe të ecurit në gjumë, simptoma kryesore është një ngjarje e pazakontë që çrregullon gjumin.

Insomnia

Kërkesa e madhe për ilaçe gjumi është një simptomë e përhapjes së insomnisë (pamundësisë për të të zënë gjumi). Një vëzhgim tregon se 6% e burrave dhe 14% e grave raportojnë se vuajnë nga ky lloj çrregullimi i gjumit. Ka shumë shkaqe dhe lloje të insomnisë. Disa insomniake i zë gjumi lehtë, por shohin ëndrra sikur janë zgjuar. Si rrjedhojë kur zgjohen ata ndjehen sikur po përpiqeshin ende që të flinin. Të tjerë e kanë të vështirë që t’i zërë gjumi, për shkak të ankthit, frikës, stresit, depresionit ose problemeve të tjera. Drogat gjithashtu çrregullojnë ciklin normal të gjumit. Disa insomniake vuajnë nga një gjendje e njohur si apnea e gjumit. Ata i zë gjumi lehtë, por çohen pasi u ndalet frymëmarrja dhe zgjohen duke gulçuar për ajër. Këta mund të zgjohen disa dhjetëra herë gjatë natës.

Narkolepsia

Një formë e hipersomnisë, narkolepsia është një çrregullim i gjumit i karakterizuar nga goditje pa vend të gjumit gjatë ditës. Personin e zë gjumi në mënyrë të pa parashikuar gjatë ditës. Personi i prekur nga ky çrregullim bie drejtpërsëdrejti në gjumin LSHS, dhe përderisa kjo etapë lidhet me paralizimin muskulor, përbën një rrezik për individin. Nganjëherë shkaktohet nga një goditje e fortë si emocion i fortë, të qeshurit, befasimi, ndezja seksuale. Një simptome e narkolepsisë janë dhe halucinacionet hipnagogjike. Nënat që punojnë janë gjithnjë e më të stresuara nga mungesa e gjumit, sipas një ankete, prindërit sot kanë shumë pak kohë, fëmijët e ndjejnë stresin e prindërve të tyre dhe qëndrojnë zgjuar. Në vitet ’60 ose ’70, pjesa më e madhe e nënave nuk punonin dhe nuk ishin kaq të shqetësuara, kur bëhej fjalë për të vënë në gjumë fëmijët. Anketa tregon se nënat e të porsalindurve kanë më pak kohë për të fjetur në krahasim me para tridhjetë vjetësh, tri orë në krahasim me pesë orë që kishin nënat e tyre. Sipas sondazhit, mungesa e gjumit prek fillimisht nënat e reja. Tridhjetë e shtatë për qind e këtyre grave pranojnë se mungesa e gjumit mund t’i çojë deri në depresion. Anketa tregon gjithashtu se 68 për qind e nënave ndjenin nevojën për të parë fëmijën e tyre kur janë në punë, dhe 70 për qind ndihen fajtore që i kishin lënë. Shumica e këtyre grave (84 për qind) pranojnë se duhet të merret me pjesën më të madhe të punëve në shtëpi, edhe kur punojnë me kohë të plotë. Studiuesit amerikanë kanë mbërritur në përfundimin se ata që flenë shumë orë natën rrezikojnë të vdesin më shpejt se ata të cilëve u mjaftojnë shtatë orë gjumë. Studiuesit kanë hetuar mbi një milion njerëz të moshave 30 deri 102 vjeç. Gjatë atyre gjashtë viteve që zgjati studimi vdekshmëria ishte më e ulët midis atyre që flinin shtatë orë përnatë, duke pasur parasysh edhe moshën, nëse personi pinte duhan dhe problemet e mëparshme shëndetësore. Atyre që flinin të paktën një orë më tepër ose më pak u rritej ndjeshëm rrezikshmëria për të vdekur. Rrezikshmëria për të vdekur rritej me 15 % tek ata që flinin 8,5 orë ose më pak se 4,5 orë.

Këshilla për një gjumë të rehatshëm

1- Nuk duhet të shtrihesh në krevat, nëse nuk ke gjumë

2- Nuk duhet të shtrihesh me stomakun plot

3- Kur shtrihesh për gjumë nuk duhet të mendoni asgjë tjetër veç qetësisë.

4- Muskujt tuaj duhet të jenë të lirshëm, sidomos ata të fytyrës

5- Gjithashtu këshillohet që gjatë ditës, mbas drekës, një pushim prej 20 minuta dhe jo më shumë pasi rifreskon gjithë trupin

6- Mos pini kafe dhe pije alkoolike pesë ora para se të flini

45-vjeçarët, më problematikë me gjumin

Pagjumësia është më e theksuar tek nënat që punojnë. Duke qenë se këto gra punojnë janë gjithnjë e më të stresuara nga mungesa e gjumit. Sipas një ankete, prindërit sot kanë shumë pak kohë, fëmijët e ndjejnë stresin e prindërve të tyre dhe qëndrojnë zgjuar. Kështu në ditët e sotme nënat që punojnë e kanë tepër të vështirë të sigurojnë të paktën 5 orë gjumë të shëndetshëm. Sipas mjekëve specialistë, pagjumësia është më e theksuar tek njerëzit e moshës së mesme, kjo për shkak edhe të punëve të shumta, të impenjimeve dhe detyrave familjare. Gjendja ekonomike është një ndër arsyet kryesore që ndikon tek kjo grupmoshë për të mos realizuar një gjumë të shëndetshëm dhe, për më tepër, problemet familjare bëhen shkak për çrregullime me gjumin.

Regjimi i domosdoshëm apo jo?

Të gjithë e dimë që regjimi stabilizon organizmin tonë. Të abuzosh me gjumin do të thotë të plakesh para kohe. Pagjumësia e vetëstimuluar është problematike, sepse fytyra e shfaq stresin dhe lodhjen më shumë se çdo gjë tjetër. Kur vendos të bësh një investim për veten, duhet të zbatosh këshillat me rigorozitet, sepse në të kundërt shpenzon para dhe kohë kot. Eficenca e trajtimit nuk është në nivelin e dëshiruar. Pagjumësia dhe mungesa e regjimit çakordojnë organizmin. Stimulojnë rrudhat, rrathët e zinj poshtë syve, si dhe borsat e syve. Të vendosësh rregull është domosdoshmëri. Nëse je mësuar të qëndrosh pa gjumë, mësohesh shumë kollaj të flesh, duke shkuar në shtrat gjysmë ore më shpejt derisa të vendosësh një orar të rregullt.

A janë të nevojshme 8 orë gjumë?

Nuk është e domosdoshme, por ky nivel mesatar është i shëndetshëm për moshat e rritura. Sipas Institutit Nacional të Shëndetit vihet re se kur tek moshat e rritura prishet regjimi i gjumit, shkaktohen edhe një sërë çrregullimesh të tjera. Ekspertët thonë se shtatë deri në nëntë orë gjumë rekomandohen për të zotëruar një performancë shumë të mirë mendore dhe psikologjike. Periudha e nevojshme e gjumit për t’u ndjerë sa më normalisht, është quajtur koha e “gjumit kryesor”. Koha e gjumit të plotë duhet të marrë sa më shumë nga koha e plotë e gjumit, ku përfshihet edhe dremitja. Disa njerëz e kanë të lindur faktin që bëjnë një gjumë të plotë dhe pa komplikime.

Ushqimet që duhet të shmangen

Është e këshillueshme që çdo darkë para se të flihet të pihet një gotë qumësht me pak mjaltë. Në shumicën e rasteve pagjumësia lidhet me lodhje nervore dhe stres. Duhet të shmangen ushqimet shumë të përpunuara apo konservuara dhe të konsumohen ushqime që e qetësojnë trupin si: frutat, sallatat, mish pule ose kos. Produktet të cilat duhen të shmangen janë soda, pepsi, koka kola; pasi ato kanë përmbajtje të ulët kafeine, e cila ndikon keq në qetësinë dhe gjendjen shpirtërore. Edhe pse këto pije janë freskuese dhe kanë shije të mirë, ato pas një farë kohe, 45 min ose 1 ore, kanë efekt të keq për gjumin. Po ashtu duhet të shmanget kafja turke, ëmbëlsirat dhe çdo lloj ushqimi me sheqer sintetik, pastat etj. Është mirë që në dhomën e gjumit të shmangen sa më shumë që të jetë e mundur parfumet dhe deodorantet.