Liridonë Çeta19/10/2020 18:30
Ideja e Shpend Ahmetit për ta bërë me pagesë hyrjen me vetura në Prishtinë, po kundërshtohet nga opozita në kryeqytet. Vetëvendosja e Partia Demokratike po thonë se kjo nuk është zgjidhje. Po e quajnë diskriminuese idenë e Ahmetit. Lidhja Demokratike po thotë se Ahmeti nuk mund ta vendosë këtë taksë pa e dërguar për miratim në Kuvendin komunal dhe se aty nuk do t’i votohet, raporton Express
Taksa për lëvizje me makinë në kryeqytet, e përmendur nga kryetari Shpend Ahmeti, ka ngjallur debat.
Partitë opozitare në Komunën e Prishtinës, po i dalin kundër një vendimi të tillë të propozuar nga kryetari.
Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Nazlie Bala, ka thënë për Gazetën Express se Ahmeti po i bën zotimet për t’i mbuluar dështimet si kryetar i kryeqytetit.
“Prishtina është Kryeqytet i Republikës, dhe si kryeqytet më së paku e ka këtë epitet. Për çdo vit zotohet për parkingun nëntokësor e këtë zotim e bën për t’i mbuluar dështimet e tij si kryetar i kryeqytetit”, ka thënë Bala.
Bala e ka quajtur diskriminuese idenë e Ahmetit për taksën për lëvizje të makinave në kryeqytet.
“Tendenca e Kryetarit Ahmeti që qytetarët e qyteteve tjera të paguajnë hyrje të veçantë është diskriminuese dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Nuk mundet askush askujt të ia ndalojë e aq më pak t’i obligojë pagesën për hyrje në qytet. Prishtina është e të gjithëve dhe e tillë do mbetet”, ka deklaruar Bala.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Prishtinë thotë se Ahmeti nuk mund ta marrë një vendim të tillë vetë, pa e dërguar për miratim në Kuvendin komunal.
“Kuvendi komunal e ka votuar rregulloren për parkingjet ku përcaktohen edhe çmimet. Por kryetari nuk mund të vendosë taksë, këtë nuk mund ta bëjë vetë pa e sjellë në Kuvend komunal. Por edhe nëse e sjell, nuk besoj që do t’i votohet. Do të jetë njëjtë sikur me propozimin që e ka sjellë para një viti për t’u vënë ekstra çmim qytetarëve që vijnë nga komunat tjera për t’u kontrolluar te mjeku. Kemi konstatuar se është shkelje e të drejtave të njeriut dhe nuk e kemi votuar, njëjtë do të veprojmë edhe me këtë tani, sepse nuk mund të bësh diskriminim”, ka deklaruar Gashi.
As për PDK’në nuk është e pranueshme vendosja e taksës për makinat që hyjnë në kryeqytet.
Asamblisti i kësaj partie në këtë komunë, Leutrim Retkoceri, ka thënë për Express se tollovia dhe ndotja nuk mund të ndalen në këtë formë.
“Assesi, nuk është e drejte vendosja e barrikadave në rrugët e Prishtinës. Assesi nuk është e drejtë vendosja e barrikadave në rrugët e Prishtinës. Tollovia dhe ndotja e ajrit nuk mund të ndalet në këto forma, kur nuk janë marrë masa tjera. Komuna e Prishtinës nuk e ka përfillur Rezolutën e Kuvendit të Prishtinës të vitit 2018, kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë”, ka thënë Retkoceri.
Ai e ka quajtur ide të shëmtuar dhe tentativë për ta mbuluar mospunën nga ana e Ahmetit.
“Nuk ka asnjë përparim për shtrirjen e rrjetit të ngrohtores së qyteti për zëvendësimin e stufave shtëpiake me thëngjill. Komuna nuk po e mbanë premtimin për fillimin e ndërtimit të unazës së qytetit, e cila do të lironte tollovinë në qytet. Parkingjet janë lënë pasdore dhe për momentin nuk kemi asnjë vendparkim në hyrje të qytetit. Pra në këto rrethana, ideja e barrikadave dhe rampave në Prishtinë është e shëmtuar, kjo është tentativë për ta mbuluar mospunën, lejleku i LVV’së në Prishtinë, Shpend Ahmeti”, ka thënë Retkoceri.
Ndërkohë, pas kritikave të shumta ndaj deklaratave të tij për bërjen me pagesë të hyrjes me vetura në kryeqytet, Shpend Ahmeti ka shkruar në Facebook se kjo do të bëhet për të evituar tollovinë në komunikacion dhe për të mbrojtur qytetarët nga ndotja e ajrit.
“Meqenëse rrugët janë të ngushta dhe nuk mund të zgjerohen në qendër, atëherë zgjidhja e vetme mbeten ndërtimi i rrugëve alternative (unaza) dhe pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të qytetit ku ka tollovi dhe që mund të shkaktojnë ndotje”, ka shkruar Ahmeti.
I pari i Prishtinës thotë se një shembull të tillë e ndjek edhe Londra.
“Pra, përveç parkingut me pagesë, ne kemi shqyrtuar edhe mundësinë e taksës për lëvizje me makinë në qendër. Në gjuhën angleze njihet si Congestion Charge (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre). Londra është kryeqyteti që e ka rregullu më së miri këtë sistem”, thotë Ahmeti.
“Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera. Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetren për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave”, ka shkruar kryetari i Prishtinës.