Pagat e punëtorëve të operatorëve ekonomik, UP del me njoftim të rëndësishëm

E publikuar: 23/03/2026 21:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Universiteti i Prishtinës njofton opinionin publik se është shumë i interesuar që me palët tjera të përfshira ta zgjidhë sa më shpejt që të jetë e mundur çështjen e pagave të punëtorëve të operatorëve ekonomikë për mirëmbajtje dhe sigurim fizik që ofrojnë shërbime brenda hapësirave të UP-së.

“Në kuadër të këtyre përpjekjeve, kohëve të fundit rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka takuar udhëheqësit e sindikatave në sektorin privat për të gjetur zgjidhje që pagat e këtyre punëtorëve të mos jenë nën pagën minimale që ka hyrë në fuqi që nga 1 janari i vitit 2026, sipas Vendimit të qeverisë 10/273 të datës 31.10.2025”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se rektori Hajrullahu më 12 mars 2026 zhvilloi një takim për këtë çështje edhe me kryetarin e Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat, Jusuf Azemi dhe përfaqësues tjerë të saj, por nga takimi doli me bindjen se kreu i kësaj federate sindikale ishte aty për të mbrojtur interesat e kompanive private dhe jo të punëtorëve që do të duhej që t’i përfaqësonte.

“Universiteti i Prishtinës çështjen e këtyre kontratave do ta zgjidhë në pajtim me legjislacionin e brendshëm në fuqi dhe ligjet e Republikës së Kosovës që rregullojnë raportet kontraktuale”, thuhet në njoftim. /IndeksOnline/