Pagat e mësimdhënësve – PDK dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Murati e sekretarit Spahiu

E publikuar: 06/10/2022 14:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK, Abelard Tahiri, e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, në shenjë proteste për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënëseve që ishin në grevë, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se kjo parti do të dorëzojë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe sekretarit të ministrisë Enis Spahiu për këtë çështje.

Tahiri tha se nuk mund të sillen se kinse nuk po ndodh asgjë, kur ministri po e keqpërdor pozitën zyrtare.

“Lëshuam mbledhjen e kryesisë në shenjë revolte për mosekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës në nivelin lokal. E kemi thënë edhe me herët se ky është vendim i paligjshëm dhe veprim arrogat i një ministri të papërgjeshëm të Ministrit të Financave, i cili cenon një të drejtë bazike të 25 mijë mësimdhënësve”.

“Kemi keqpërdorim të pozitës zyrtare nga ministri Hekuran Murati. Prandaj nuk do të marrim pjesë më tutje në mbledhje në përgatitje të seancës së radhës”.

“Sot duhet të them që do të ngrejmë një kallëzim penal ndaj Hekuran Muratit dhe sekretarit Enis Spahiu, në këto momente vetëm se është duke u dorëzuar kallëzimi penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”.