Paga minimale 500 euro, Murati : Rritja duhet të marrë parasysh kushtet e tregut

E publikuar: 30/10/2025 16:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka treguar se në takimin me temë rritja e pagës minimale, ka dëgjuar propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave.

Murati është shprehur se do të kenë parasysh sugjerimet dhe rekomandimet për pagën minimale.

“Sot bashkë me përfaqësues të sindikatave të punonjësve nga sektori privat si dhe me përfaqësues të odave ekonomike mbajtëm një takim konsultues në kuadër të dialogut social për rritjen e pagës minimale. Nga ky takim, dëgjova propozimet dhe sugjerimet e përfaqësuesve të sindikatave të cilët e mbështetën rritjen e pagës minimale, e poashtu dëgjova edhe rekomandimet që erdhën nga përfaqësuesit e bizneseve që kishin të bëjnë me nevojën për më shumë konsultime dhe pagë minimale të përshkallëzuar. Paga minimale është instrument tejet i rëndësishëm që përcakton minimumin e pagesës së një ore pune, dhe ka për synim mbrojtjen e punëtorëve nga praktikat jo të mira”, ka shkruar Murati në profilin e tij “Facebook”.

Megjithatë ai ka thënë se  për rritjen e pagës minimale duhet të merren parasysh edhe kushtet e tregut.

“Njëkohësisht, rritja e pagës minimale duhet të marrë parasysh edhe kushtet e tregut, dhe kapacitetin absorbues nga ana e ndërmarrjeve. Si qeveri, pagën minimale e rritëm për herë të parë pas më shumë se një dekade stagnimi, dhe premtuam që paga minimale do të rishikohej çdo vit. Nga takimi dola më i informuar, dhe patjetër që do ti kem parasysh të gjitha sugjerimet e rekomandimet kur të bëj propozimin e pagës minimale të re për miratim në Qeveri. I falenderoj të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmueshëm në këtë bashkëbisedim”, përfundon shkrimi i Muratit.