Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka treguar për një takim të mbajtur me Komisionarin për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave dhe Zgjerim, Johannes Hahn, të cilin Pacolli tregon se e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme që po japin ndaj Kosovës.
“Sapo përfundova takimin shumë të rëndësishëm me Komisionerin për Politikën Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, Johannes Hahn. E falenderova për mbështetjen e vazhdueshme nga Institucioni që ai drejton, por, edhe për angazhimin e tij personal përkitazi me procesin e përafrimit të Kosovës dhe rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ri-konfirmova qëndrimin zyrtar të Institucioneve të Republikës së Kosovës se “procesei i integrimit evropian dhe euro-atlantik mbetet qëllimi kryesor i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”.
Shpreha zotimin tonë për të gjitha proceset e ndërlidhura me agjendën evropiane, duke përfshirë këtu edhe dinamizmin e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim si dhe përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave, që do të mundësonte liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Komisioni Evropian e ka mbështetur në vazhdimësi dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën”, ka shkruan Pacolli.



















