Pacolli tregon ku gaboi Shpend Ahmeti me Prishtinën, premton trefishim të buxhetit për këto drejtori

E publikuar: 09/07/2021 22:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati i AKR’së për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli në muajin maj ka shpallur kandidaturën për të parin e kryeqytetit.

Pacolli në një bisedë për Infosot.com ka trguar arsyen që e shtyu të rikandidoj për kryetar të Prishtinës, gabimet e Shpend Ahmetit gjatë mandatit të tij si kryetar i kryeqytetit, fokusimi në drejtori të vecanta që kërkojnë më shumë punë dhe ngritjen e buxhetit për disa drejtori të caktuara.

Tashmë nënkryetari i Prishtinës, ka thënë se mos implementimi i disa pikave që kanë rëndësi të madhe në ngritjen e mirëqenies së kryeqytetasve, ka qenë shtysa kryesore që Pacolli ta shpallë kandidaturën për kryetar të kryeqytetit të Kosovës.

“Duke i pas parasysh zotimet e mia parazgjedhore të vitit 2017 dhe harmonizimin e programit 4 vjeçar qeverisës me z. Shpend Ahmeti, nuk kam arritur, që ato pika nga programi im, të cilat konsideroj që kanë impakt kyç në zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së infrastrukturës dhe jetës së qytetarëve të saj, në shumë dimenzione, të implementohen përfundimisht! Si të tilla akoma kanë ngelë në gjysmë të rrugës, shkak i zhvillimeve të shumë ngjarjeve në nivelin qëndror. Këto pika nga programi im, janë të lidhura ngushtë me bashkëpunimin Qeveri-Komunë, përndryshe janë të pazbatueshme. Kjo ka qenë edhe njëra nga çështjet kryesore që më ka shtyrë të rikandidoj! Por edhe një gjë tjetër, është edhe eksperienca ime katër vjeqare në qeverisje Komunale, më bën akoma më kompetent dhe më të fuqishëm edhe për një mandat! ”- tha ai.

Pacolli tutje thekson se kryeqyteti ka nevojë për një njeri që ka përgjegjësi ndaj qytetit dhe qytetarëve të saj. Madje thotë se do të jetë i qasshëm cdoherë për t’i dëgjuar kërkesat e qytetarëve.

“Prishtina ka nevojë për një kryetar energjik dhe të përgjegjshëm, i cili prioritet dhe motiv e ka qytetin dhe qytatarët e saj, duke mos hezituar që në baza ditore dhe në çdo kohë t’i takoj dhe t’i dëgjojë hallet e tyre, e jo t’ua mbyllë qasjen!”.

Teksa flet për punën e deritanishme nga shefi i tij (Shpend Ahmeti), Pacolli thotë se Ahmeti kishte gabuar kur provoi të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas tij, obligimet shtesë dhe mos -delegimi i punëve tek vartësit e Ahmetit, ka qenë një moment që shumë punë kanë mbetur pezull.

“Cështja se ku ka gabuar Shpendi në qeverisjën e vetë, nuk do doja te jap opinion, meqë do isha shumë subjektiv! Mirëpo mbi të gjitha mendoj se tentimi për t’u ngarkuar me obligime shtesë, edhe me dialogun me Serbinë, dhe mos delegimin e menjëhershëm të obligimeve tek vartësit e vet, ka qenë fatale, duke pas parasysh dinamikën e zhvillimeve në kërkesat komunale!”, thotë Pacolli për Infosot.com

Tutje, Pacolli liston dikasteret në të cilat ka nevojë urgjente për t’u intervenuar e sipas tij, do ta bëj të pamundurën që ta trefishoj buxhetin për sektorin e Shëndetësisë,Arsimit, Kulturës, Sportit e Bujqësisë.

“Prishtina ka nevoja të shumëta, lirisht mund të them në të gjitha dikasteret, mirëpo, fuqishëm besoj se përvec infrastrukturës, në mënyrë imediate duhet investu në sektorin e Shëndetësisë, Arsimit, Kulturës, Sportit dhe Bujqësisë! Do të bëj të pamundurën që këtyre drejtorive të ju trefishohet apo edhe më shumë buxheti. Janë të vetmet resurse që ne i posedojmë me mundësi të mira për zhvillim dhe afirmim global, por neglizhenca e tyre, kanë bërë që të jenë në këtë gjendje!”, përfundon Selim Pacolli./Infosot.com/