Kreu i Aleancës Kosova e Re dhe ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, Behgjet Pacolli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë.
Ai ka marrë një shembull interesant për të ilustruar mendimin e tij mbi qeverisjen aktuale në Kosovë.
Më tutje, ai ka thënë se liderët kosovarë nuk po e rrezikojnë vetëm fatin e tyre politik, por edhe atë të Kosovës.
“Pra, për hirë të Kombit, Atdheut dhe Perëndisë, ndaluni dhe mendoni! Kërkoni ndjesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”, ka shkruar Pacolli.
Ky është postimi i tij:
Kur bubrreci po ecte në gurin e mullirit i cili rrotullohej për shkak të forcës shtytëse të ujit, bubrreci mendonte që ishte forca e tij që po e levizte atë. Kështu, ai e rriti vetëbesimin si i fuqishëm, por ne fakt, ishte vetëm një bubrrec.
Lidershipi i Kosovës po vepron njejtë!
Mos veproni sikurse bubrreci sepse nuk rrezikoni vetëm fatin tuaj politik, por fatin e krejt Kosovës! Ndjesinë e bubrrecit e kanë patur shpesh vendet afër nesh por kanë kaluar keq.
Ne jemi mjaft të vegjël me pas këtë ndjesi. Ne nuk mund të luajmë midis Europës dhe SHBA-ve. Do ishte mrekulli nëse ne mund të kontribuojmë që këta dy akterë globalë të bashkohen akoma më shumë rreth nesh. Çështja e Kosovës nuk guxon të ndajë dy miqtë tanë të mëdhenj. Për më shumë që interesi i tyre i përbashkët është arritja e marrëveshjes së drejtë: mbyllja e një plage për Europën në këto 20 vjet të kohës moderne.
Na duhet modesti. Na duhet bashkim mes vete rreth një emëruesi minimal të përbashkët. Prandaj duhet të sillemi plotësisht të vetëdijshëm për peshën tonë ndërkombëtare, për lojën tonë në kohë dhe në hapësirë. Kemi pasur fat dhe mos e mbyteni atë. Me mbytjen e fatit të Kosovës dhe popullit te saj, do të mbytet përgjithëmonë edhe fati i juaj politik.
Pra, për hirë të Kombit, Atdheut dhe Perëndisë, ndaluni dhe mendoni! Kërkoni ndjesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Koha për veprim është tani!
Kush është patriot, kush e do Kosovën, në institucione apo dhe jashtë tyre, brenda territorit apo në diasporë, duhet ta kuptojë se koha për të vepruar është tani! Nuk duhet të lejojmë që të kalohet në veprime ndëshkuese për Kosovën! Kjo do të ishte hedhje në erë e veprës së dëshmorëve dhe heronjëve të kombit në shekuj; shkatrrrim i gjithçkaje që kemi arritur në 21 vjet liri dhe 12 vjet pavarësi!
I lutem klasës sonë politike, drejtuesve të institucioneve, ndaluni me këtë sjellje sfide ndaj miqve amerikanë.
Madje ndaluni dhe në sfidën ndaj miqve europianë. Mos mendoni se mund të luani në rivalitetin euroamerikan! Mos shkatërroni fatin e Kosovës për shkak të luftës suaj për pushtet! Vendoseni sesi do të zhvilloni dialogun me Serbinë sipas një Platforme, sipas Rregullash loje që i miratoni me një Ligj të propozuar nga Komisioni i Venecias, dhe luftën për pushtet, për vizibilitet ndërkombëtar bëjeni në ndonjë temë tjetër!
Mos u tallni me miqtë!
Mos u tregoni miqëve tonë prralla si keni bërë në të kaluaren!
Është shumë e qartë kërkesa e SHBA-ve dhe e Bashkimit Europian, hiqni taksën! Kuptojeni pozicionin e SHBA-ve si ndërmjetës midis dy palëve, i cili duhet të jetë i besueshëm për të dy palët!
Mos mendoni se po ua shitni popullit se kjo që po bëni, është mbrojtje e interesit të Kosovës! Përkundrazi: të prishësh marrëdhëniet me SHBA-të dhe Bashkimin Europian është shkatërrim i interesave të Kosovës! Do të thotë të bësh lojën e armiqve tanë!.