Lideri i AKR’s, Behgjet Pacolli ka thanë se Qeveria e Isa Mustafës, Presidentja Atifete Jahjaga dhe Opozita kanë zgjedh rrugën e gabueme për me i sqarue problemet politike të bllokadës institucionale.
Ai ka thanë se Presidentja duhet me i ftue liderët e partive për të gjetë nji zgjidhje për me tejkalue këtë krizë.
Ndërsa për Opozitën, Pacolli ka thanë se duhet me i shterrue rrugët politika para se të përdorë gazin lotsjellës.
Lexojeni të plotë reagimin e Pacollit:
Unë vazhdoj t’i mbahem pikëpamjes se qeveria aktuale nuk ka kurrfarë perspektive dhe nuk ofron asnjë lloj vizioni apo angazhimi qoftë dhe minimal në kryerjen e detyrimeve politike dhe administrative. Ka boll fjalë të urta popullore që na përkujtojnë këtë pamje të qeverisë sot: dielli duket që në mëngjes; fillimi i mbarë, gjysma e punës, etj, etj. Me këtë qeveri s’kemi as diell, dhe as fillim të mbarë.
Qeveria, opozita, Presidenca megjithatë po gabojnë me sjelljen e tyre në krizën aktuale.
Qeveria do duhet të ofrojë rrugën e dialogut për t’u sqaruar me opozitën për marrëveshjet.
Opozita duhet të shterrojë gjithë rrugët politike, para se të zgjedhë rrugët policore të gazit lotsjellës që të imponojë dëgjimin e zërit të vet.
Por edhe Presidentja nuk mund të rrijë më duarkryq. Një President me autoritet në të dy krahët, do duhet t’ i kishte ftuar palët në një tryezë bisedimesh të pandërprera derisa të gjendej një zgjidhje.
Në kushtet kur asnjëra palë s’kryen detyrën e vet, Kosova po identifikohet në botë, në të gjithë skajet e globit, me pamjet e gazit lotsjellës jo në sheshe protestash, por në Sallën që ka debatin si mjetin kryesor. Kjo është mendjelehtësi e pafalshme! Kjo është vdekje e politikës dhe vijim i sheshit në sallat e politikës!