Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka thënë se po të ishte në krye të shtetit askush në Kosovë s’do të ishte i papunë.
Këtë parashikim Pacolli e ka dhënë në ditën e punëtorëve, më 1 Maj.
“Nëse do të më lejonin, nëse do t’i prija karvanit politik, apo trenit të zhvillimit, do të ofroja punë për të gjithë”, ka shkruar Pacolli.
Lexojeni të plotë reagimin e Pacollit
Nëse do të zgjidhja një ditë që do ta quaja Dita ime e festës, ajo do të ishte Dita e 1 Majit, ose Dita e Punës. Jo se do të pushoja, apo se do të festoja, por se kjo ditë mendoj se më identifikon më shumë se të tjerat !
Kam punuar shumë që në moshë të vogël. Kam punuar shumë në punët më të rëndomta, kur 18 vjeç pata shkuar në Gjermani ndërsa ditën studioja në Universitetin e Hamburgut.
Kam punuar vazhdimisht, në të gjitha kohërat, edhe 24 orë në ditë.
Njëjtë e jetoj ditën dhe sot kur falë punës kam arritur një mirëqenie të konsiderueshme për veten dhe familjen time. Edhe kur mbërrij në shtrat pas një dite të lodhshme rregulloj gjithçka, teshat e mia, dhe asnjë punë të sodit nuk e lë për ditën tjetër.
Këtë edukatë të punës ja kam përcjellë dhe fëmijëve të mi. Edhe më i vogli që ka pak vjet më kopion përshembull për rregullimin e teshave.
I mësuar kështu, prej të parëve të mi, prej ashpërsisë së jetës, unë çmoj shumë njerëzit e punës. Mundohem t’i ndihmoj ata dhe t’i ofroj punë brenda mundësive të mia. Sot afro 15 mijë vetë punojnë prej mundësive që unë i kam krijuar. Nëse do të më lejonin, nëse do t’i prija karvanit politik, apo trenit të zhvillimit, do të ofroja punë për të gjithë.
Kritikat më të mëdha në gjithë jetën time i kam marrë prej dembelëve të të gjithë llojeve dhe të gjitha kategorive që si jua do rasti, flasin shumë.
Për këtë arsye sot që është dita ime, dita e punëtorëve, i uroj të gjithë punonjësit anembanë Kosovës, ata që kanë punë, por dhe ata që duan të punojnë por s’munden, Gëzuar 1 Majin ! Le të shpresojmë se një votë më e menduar mirë në ballafaqimet e ardhshme, do të prodhojë politikanë që e duan punën, që e respektojnë atë, dhe që do të krijojnë më shumë vende pune për të gjithë.
Gëzuar 1 Majin !