Presidenti i AKR-së, ka komentuar fjalët e Ministrit të Jashtëm të Serbisë Ivica Daçiq drejtuar vullnetit të politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës për të krijuar një Asosacion të komunave shqiptare me fjalët: mos luani me zjarrin!.
Sipas Pacollit qëndrimi i tij është komprometues i gjithë diplomacisë serbe, veçanërisht në procesin e negociatave në Bruksel
Postimi i plotë në Facebook:
Ministri i jashtëm i Serbisë Daçiq po e tregon gjithnjë e më shumë se është më shumë ministër i brendshëm sesa i jashtëm. Kjo sepse ai nuk e njeh gjuhën e diplomacisë, lëndën e saj.
Në një deklaratë të fundit, referuar vullnetit të politikanëve shqiptarë të Luginës së Preshevës për të krijuar një Asosacion të komunave shqiptare, ai i drejtohet atyre si « ministër i brendshëm » me fjalët : mos luani me zjarrin!
Cili është zjarri sipas tij? Me çfarë i kërcënon ai shqiptarët ? A është kjo një gjuhë normale për një ministër të jashtëm?
Fatkeqësisht qëndrimi i tij është komprometues i gjithë diplomacisë serbe, veçanërisht në procesin e negociatave në Bruksel. Pse vallë nuk mund të vendoset asnjë shenjë krahasimi midis minoritetit shqiptar në Serbi dhe atij në Kosovë? Sa kohë që kompetencat që i janë dhënë Asosacionit të Komunave serbe janë kompetenca tipike për pushtetin lokal, ku është problemi?
Unë e di që nëpërmjet Asosacionit, Beogradi dhe mund të përpiqet të bllokojë Kosovën. Ai synon të kompaktësojë qëndrimet e faktorit serb në Kosovë, që ai të flasë me një zë. Por marrëveshja në vetëvete shënon pranimin e sovranitetit të Kushtetutës, institucioneve dhe ligjeve të Kosovës në gjithë territorin.
Atëherë pse shqetësohet Daçiq nga paralelja midis shqiptarëve në Kosovën Lindore dhe serbëve në Veri të Kosovës ?