Pacolli: Nëse LDK e VV nuk merren vesh, qëndrimi im në LAA është i pakuptimtë (Video)

E publikuar: 09/08/2017 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë se ka bërë hapin e parë drejt zhbllokimit të ngërçit politik. Ai ka folur për takimin që kishte sot me Ramush Haradinajn, i nominuari i PAN’it për kryeministër, dhe me Isa Mustafën, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Zoti Haradinaj më ka vizituar, në ora 10 më ka ardhë në familje. Kemi biseduar për dy orë me të, kemi biseduar gjerë e gjatë për brengat, për konsekuencat e vonesës së formimit të institucioneve, për përparësitë që do të ketë Kosova me këtë qeverisje dhe për mangësitë që do ti këtë në këtë qeverisje”, ka thënë Pacolli në një intervistë në RTK.

Më tutje, ai ka pohuar se është konstruktiv dhe se nuk do ta bllokojë vendin, por se do ta bëjë hapin e parë drejt zhbllokimit të ngërçit politik.

“Jam për zgjidhje konstruktive, por nuk mund t’u them se do ta votoj Kadri Veselin, apo Milaim Zekën, apo dikë tjetër”, tha ai.

Pacolli foli edhe për takimin që kishte sot me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.

“Sot kam fol edhe me z. Mustafa, do të flas edhe me z. Kurti, dhe kam thënë se brenda dhjetë ditëshit të parë ju duhet të merreni vesh dhe nëse ju dy nuk jeni të gatshëm ta formoni një qeveri, unë nuk di çfarë kuptimi ka qëndrimi im aty”, ka thënë Pacolli.