Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka reaguar ndaj kërkesës së zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu që Pacolli të kërkojë falje për deklaratën e djeshme në të cilën thotë se është frikësuar për sulm terrorist ndaj aeroplanit të tij.
Zyberaj ka thënë se kërkesa e Kryeziut është një kërkesë ndjese në emër të partisë në pushtet dhe në emër të shefit të saj.
Ai ka lënë të kuptohet se Pacolli mund të tërhiqet nga fjalët e tij, por që këtë sipas Zyberajt duhet ta bëjnë së pari Sveçla e Kurti.
“I vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cënojnë imazhin e shtetit të Kosovës, zotëri Pacolli mund të tërheqë atë cfarë tha. Mirpo a do ta bejnë këte me parë, Kryeministri dhe ud i Ministrit te Punëve të Brendshme?”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Zyberajt në Facebook:
Në lidhje me qëndrimin e zëdhënësit të qeverisë z.Perparim Kryeziu:
E vlerësoj si shumë të matur dhe njëlloj kërkimi ndjese, deklarimin e zëdhënësit të qeverisë Kryeziu.
Etika e tij është ku e ku në raport me agresionin verbal, kërcënimin,frikësimin në mesazhet e shefit të tij, apo zëvendësministrit të brendshëm, ndaj zotit Pacolli.
Pikërisht ai agresion verbal i nisur nga lart nxiti si rregullisht ushtrinë e mijëra kërcënuesve me apo pa emër në rrjetet sociale apo dhe në forma të tjera, që të bëjnë thirrje të hapura për vrasje, linqim, të zotit Behgjet Pacolli, fëmijëve të tij, etj.
Një klimë e tillë fashizmi verbal, por jo vetëm verbal, frymëzuar me vetëdije apo pa vetëdije nga kreu i qeverisë është parathënia e cdo akti terrorist të mundshëm, sic analizon stafi i sigurisë së zotëri Pacollit, shto këtu dhe informacionet që ata marrin nga drejtime të ndryshme.
Kërcënime si ato për të cilën prokuroria u mobilizua në ndihmë të zotit Kurti para pak javësh, zotëri Pacolli merr me qindra dhe mijëra dhe klima e krijuar ndaj tij me thirrjet agresive të personalizuara të kreut të qeverisë prodhoi edhe më shumë kërcënime. Është në natyrën njerëzore që i gjendur para një dhune të tillë verbale nga njerëzit e pushtetit dhe falangat fashiste që i bëjnë jehonë atyre, të frikësohesh për fatin e familjes, për më shumë kur vjen nga një izolim dy mujor.
Në shumë kuptime, deklarimi i zotit Kryeziu është kërkesë falje ndaj zotit Pacolli.
Shefi i tij apo zotëri Svecla edhe pasi e mësuan lokacionin e zotëri Pacollit, pasi dolën bllof me deklarimet e mëparshme të tyre, thjesht po kërkojnë me gojën e zotëri Kryeziut diqka që zoti Pacolli kurrë nuk e ka kontestuar.
Kurrë ai nuk ka thënë se kërkon trajtim të mëvetshëm, apo shkelje të rregullave (jo ligjore megjithatë) në lidhje me karantinën. Kurrë ai nuk ka kërkuar përjashtime .
Është kryeministri dhe ministri i tij në detyrë që donin të bënin përjashtime duke kërcënuar me arrestim një ish president, një ish ministër të jashtëm dhe një deputet të Republikës.
Deklarimi i zotit Kryeziu në lidhje me kufijtë e veprimit dhe deklarimit opozitar sot është një kërkesë ndjese në emër të partisë në pushtet, në emër të shefit të tij, për tejkalimin e këtyre kufijve në të shkuarën jo shumë të largët. Këto kufij ishin të tmerrshëm dhe zoti Kryeziu nuk e ka fjalën për to me siguri kur i jep këshilla zotit Pacolli: në sallën e parlamentit në prani të grave shtatzëna, të sëmurëve kronikë, përdorej gaz lotsjellës; kur ndaj institucioneve apo dhe ndaj shtëpisë së kryeministrit të kohës qëllohej me bomba molotov. Sigurisht zotëri Pacolli nuk ka kurrë ndërmend të ndjekë këshilla të tilla.
I vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cënojnë imazhin e shtetit të Kosovës, zotëri Pacolli mund të tërheqë atë cfarë tha. Mirpo a do ta bejnë këte me parë, Kryeministri dhe ud i Ministrit te Punëve të Brendshme?!