Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AKR), Behgjet Pacolli është shprehur i pakënaqur me afatin e Bashkimit Evropian që Kosovës t’i liberalizohen vizat në janar të vitit 2024.
Ai ka thënë se Shqipëria është dashur të lëshojë pasaporta për qytetarët e Kosovës, njëjtë siç ka vepruar Rumania për Moldavinë.
“Liberalizimi i vizave për Kosovën vetëm në janar 2024 është e tepërt!! Pa asnjë respekt për qytetarët kosovarë, në mes të Evropës, qytetarë që vazhdojnë të mbahen të mbyllur, pa asnjë arsye. Gjithë kjo shtyrje e pritje për qejfin e dikujt që Kosovën as nuk e ka njohur si shtet të pavarur. Sinqerisht turp”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
“Tani mos të flasim për vlera demokratike. Qytetarët e Kosovës do të presin edhe një vit por çka do të ndryshon, çka do të jetë ndryshe pas një viti? Mendoj që nga fillimi është dashtë që Shqipëria të lëshon masovikisht pasaporta edhe për qytetarët tonë, atë që e ka bërë Rumania për Moldavinë”, ka thënë ai.