Presidenti i AKR’s, Behgjet Pacolli e ka akuzue Isa Mustafën se s’ka lidhje me menaxhim, derisa Ministrat e qeverisë i ka akuzue për mosdije.
Pacolli i ka ba thirrje Kryeministrit Mustafa me reague për me përmirësue gjendjen në shumë fusha në Kosovë.
Zotit Mustafa i baj thirrje që me investue shpirtin e tij, që ajo çka asht ndërtue deri tash, mos me u shkatërrue. Keni sy dhe shpirt, o njerëz dhe vëreni se jeni tu’ e shkatërrue pasuninë e kësaj shoqnie të varfën, – ka shkrue Pacolli në profilin e tij në facebook.
Ma poshtë asht reagimi i plotë i liderit të AKR’s:
Është për tu trishtuar me punën e qeverisë aktuale! Kjo qeveri jo që nuk ka bërë asgjë në fushën e ekonomisë ( në rënie është ekonomia, në rritje papunësia në krahasim me një vit më parë) por edhe ajo që është ndërtuar viteve te fundit po shkatërrohet për shkak të mungesës së vizionit, dëshirës për të vepruar dhe mosdijes së ministrave të qeverisë aktuale. Është e qartë se këto ministri nuk funksionojnë, mbase edhe shefi i tyre është njeri që po tregon se nuk ka lidhje me menagjimin e një qeverie efektive. Qytetarët e Kosovës kane rastin për tu bindur në lidhje me këtë; mos menagjimi i mbeturinave, papastërtia nëpër qytete dhe jashtë tyre, shkatërrimi gradual i ambientit ( malet janë kthyer në gropa të gurëthyesve, lumejtë nuk kanë shtretër dhe shumë dukuri tjera negative). Ajo që dua të ju them është se, edhe ato rrugë që janë ndërtuar nga qeveritë e kaluara, kësaj rradhe janë duke u shkatërruar totalisht, e përsëris edhe një herë, është e tmershme dhe e turpshme që ministrat përkatës nuk vërejnë këtë fenomen, prandaj edhe nuk veprojnë asgjë.
Sot kalova në aksin e rrugës, Prekoc -Strezofc –Kamenice, rrugë kjo që është ndërtuar vitin e kaluar me goxho shumë investime e cila për shkak të rreshurave të shumta dhe mungesës së shtratit të lumit, praktikisht po bëhet e pa përdorur. Askush nuk ka intervenuar që situata të sanohet (me pak mjete) por, ata po presin që të shkatërrohet definitivisht. Zotit Mustafa i bëj thirrje që të investoj shpirtin e tij , në mënyrë që kjo që është ndërtuar deri më tani, mos të shkatërrohet. Keni sy dhe shpirt o njerëz dhe vëreni se jeni duke e shkatërruar pasurinë e kësaj shoqërie të varfër. E keni kthyer qeverinë në një vend akomodimi e ndeje, keni ngulfatur iniciativat private, jeni duke e shkaterruar atë që është arritë në të kaluarën me djersë dhe me punë ( nuk iu mjaftoi as interevenimi i BE-së tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë), besoni se nuk është e drejtë si po veproni.