Pacolli: Hoti i tha “po” mini-shengenit, e “jo” anëtarësimit në BE

E publikuar: 21/10/2020 13:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, tha se kryeministri i Kosovës në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit është zotuar se do të suspendojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Ajo tha se ishte kërkesë e Serbisë që Kosova të heq dorë nga kërkesa e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa tha se që të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, sipas saj, kryeministri Hoti suspendoi shtetësinë e Kosovës.

“Kosova është shtet i pavarur, por të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar dhe këtë ne duhet ta dimë më së miri. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare rajonale mbetet alternativë e domosdoshme për të siguruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtetësinë. Duke qenë shtet i vogël Kosova nuk ka mundësi të shtrijë rrjetin e saj diplomatik në çdo cep të botës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj dhe jep zë për të avancuar interesat e saj. Anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare z. Hoti është njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Përmes njohjes kolektive anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i siguron Kosovës të drejtën e votës në këto organizata dhe formalisht e barazon atë me shtetet e tjera”, tha ajo.

Me këtë zotim për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Pacolli tha se po dëmtohet pozita e shtetit të Kosovës edhe në ato organizata ku tashmë është anëtare.

“Si është e mundur që moratoriumi një vjeçar të mos aplikohet kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-shengenit apo në zonën e Novisadit. Si është e mundur Kosovës t’i pezullohet e drejta për t’u anëtarësuar në BE, në NATO, UNESCO, dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit. Si mundet të ndodhet kjo, pra ju si një proamerikan i thoni ‘Po’ mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por ‘Jo’ Bashkimit Evropian. Ju i thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit por ‘Jo’ anëtarësimit në NATO, e çuditshme kjo. I thoni ‘Po’ mini-shengenit, por ‘Jo’ Këshillit të Evropës. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, por i thoni ‘Jo’ Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, pra iniciativës së Serbisë, por ‘Jo’ UNESCO-së”, tha ajo.

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, në fund të fjalës së saj ka paraqitur edhe rezolutën rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“1. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës. 2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet për anëtarësimet e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës planin e veprimit për përgatitjet dhe aplikimin në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. 3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues me qëllim të realizimit të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha ajo.