Presidenti i AKR’së Behgjet Pacolli edhe një herë ka kërkuar që zgjedhja e Presidentit të bëhet nga populli, derisa tha se për atë që ka ndodhur gjatë ditës së sotme brenda dhe jashtë Kuvendit, askush nuk duhet të jetë krenar.
Shkrimi i plotë i Pacollit në Facebook:
Nga gjithë kjo që ndodhi, brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, sot askush nuk duhet të jetë krenar. Duhej të luftohej për të gjetur zgjidhje, siç e theksuan edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Sot jam më i bindur se kurrë se ideja e zgjedhjes së Presidentit nga populli, ashtu siç e kishte kërkuar udhëheqësi ynë Rugova, dhe ashtu siç unë pandërprerë insistova, do të na shmangte gjithë këto turpe që ndodhën. Presidenti i zgjedhur do të ishte legjitim dhe askush nuk do të kishte asnjë pretendim. Do t’i bënte më shumë nder institucionit dhe vet Presidentit.
Të gjithe ata që e bllokuan këtë iniciativë duhet të kërkojnë falje. Edhe Opozita duhet të kërkojë falje që nuk e mbështeti këtë ide.
Vendit sot i mungojnë ekuilibrat politikë, institucionalë, shoqërorë. Zgjedhja Presidentit nga populli do të ishte rruga e duhur për të rivendosur të gjithë ata ekulibra.
Dihet çfarë ndodh në një shtëpi, në një shtet, në një anije, kur prishen eukulibrat.