Pacolli paraqitet i sëmurë për të shmangur karantinën

E publikuar: 28/04/2020 17:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

18:21

Pas aterrimit në Aeroportin e Tiranës, deputeti Behgjet Pacolli është nisur drejt kufirit në Vërmicë për të hyrë në Kosovë.

Për t’iu shmangur karantinës në Qendrën e Studentëve, siç merr vesh KOHA, Pacolli do të thotë se ka probleme shëndetësore.

Sipas rregullave të institucioneve, një nga kategoritë që lirohen nga karantina janë personat me probleme shëndetësore.

Kryetari i AKR-së e ka akuzuar gjithë ditën qeverinë në largim Kurti për standarde të dyfishta, pasi që MSH-ja tha se ai duhet të karantinohet pas kthimit nga Zvicra.

17:50

Pacolli aterron në Tiranë

Pasi anuloi fluturimin për në Prishtinë, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka aterruar në Aeroportin e Tiranës, mëson KOHA.

Sot Pacollit i ishte aprovuar leja për aterrim në Prishtinë, por ai ishte ankuar për masat e karantimit të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Pasditen e së martës kishte vendosur të anulonte fluturimin për në Kosovë.

Pacolli anulon fluturimin për në Prishtinë

17:37

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka anuluar pasditen e së martës fluturimin për në Prishtinë.

Në dokumentet e siguruara nga KOHA, shihet se piloti i Pacollit në një letër drejtuar autoriteteve të Kosovës ka bërë të ditur se është anuluar fluturimi i paraparë për sot.

“Të dashur operatorë. Fluturimi jonë për në Prishtinë është anuluar. Faleminderit”, ka shkruar ai në një letër rreth orës 16:00.

Ndërkohë, Pacolli ka vazhduar me ankesa përmes rrjeteve sociale, për trajtimin, sipas tij, të padrejtë.

“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”, ka shkruar ai në Twitter pas orës 17:00.