Paçarizi: Më vie keq që 25 vjetori i ndërhyrjes së NATO-s nuk u shënua me asgjë që do ta rikonfirmonte partneritetin 

E publikuar: 25/03/2024 23:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Opinionisti, Rrahman Paçarizi po vlerëson se pas bombardimeve të NATO-s, ka qenë një momentum i përgjithshëm ndërkombëtar i cili vijoi në favorin e shtetit të Kosovës.

Megjithatë ai thotë se në këtë 25 vjetor të nisjes së bombardimeve për parandalimin e gjenocidit serb, është për keqardhje se nuk pati ndonjë event që do rikonfirmonte partneritetin me aleatë ndërkombëtarë, transmeton klankosova.tv.

”Për çka mua më vjen shumë keq, në 25 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s, ka qenë momenti më i rëndësishëm në historinë e Kosovës, nuk ka pasë asgjë të rëndësishme që e shënon. Është një çerek shekulli, ka qenë një moment shumë i rëndësishëm. Kosova përmes një manifestimi të tillë, e ka pasë mundësinë me riafirmu dhe rikonfirmu partneritetin, e me ju tregu se kemi besim tek ju sepse gjithçka ka ndodhë në mirëbesim tek ju.”

Derisa ai ndau në Rubikon edhe një rrëfim të pasluftës, kur atëkohë kryeministër rus, Vladimir Putin kishte vizituar Prishtinën.

”Keni parasysh, vetëm pak muaj pas përfundimit të bombardimit të NATO-s, pas çlirimit të Kosovës, në Rusi kryeministër është zgjedh Vladimir Putini, dhe në muajin gusht, ai ka qenë po në Prishtinë, në Prishtinë në Aeroportin e Sllatnës me i vizitu forcat ruse në kohën kur kanë mbërri atje.”

”Situata nuk ka qenë kaq e thjeshtë. Dhe ne e dijmë që forcat ruse kanë hy përpara forcave të NATO-s, këmbësoria.”

”Por ka qenë shumë rrezik. Në atë kohë Putini ka qenë në fuqizim e sipër. Dhe kjo ka qenë edhe humbje e Rusisë, duke e forcu pozicionin e një nacionalisti ekstrem siç është Putini.”

”Pastaj trupat ruse u tërhoqën vet nga Kosova. U vun në një presion të madh nga popullata. Ishin të padëshirueshëm. Nuk kishin as ushqime të mjaftueshme për me i mbajtë ushtarët. Ushtarët rusë punonin argat, punonin tokat për shqiptarët, kanë prashit tokat për kallamoç në zonën e Rahovecit.”