Historia e tij u ngjan personazheve të Zhyl Vernit apo Robinson Kruzosë së Daniel Defo.
Prej 29 vjetësh Mauro Morandi ka vendosur të izolohet nga pjesa tjetër e botës dhe t’ia dedikojë jetën e tij një ishulli të vetmuar në Sicili.
Ai mbërriti në ishullin Budelli krejt rastësisht përmes një barke dhe i magjepsur nga pamja e ishullit vendosi të qëndrojë aty duke u bërë rojë i ishullit.
Pa njerëz të tjerë, pa energji elektrike e madje edhe pa ujë të pijshëm, Morandi ka krijuar me mjete rrethanore banesën e tij. Ka ndërtuar panele diellore, ndërsa si ujë përdor vetëm ujin e shiut.
Morandi tregon se njeh gjithçka për ishullin, çdo bimë, çdo kafshë e madje se tashmë është kthyer në një botanist.
Ai thotë se ditët e tij aty janë të ndryshme, përcjell opinion.al. Në dimër zakonisht lexon disa libra, që për të janë miqtë më të mirë.
Teksa flet për ishullin thotë se që ai të krijohej janë dashur 10 mijë vjet, ndërkohë që njeriu e shkatërron për 20 vjet.
“Unë nuk jam eremiti që isha 20 vite më parë. Atëherë ndërtova këtu dy porta që askush të mos hynte. Nuk desha të bisedoja me askënd. Derisa kuptova që unë isha i vetmi që po e shijoja këtë bukuri dhe u ndjeva egoist. Ishulli më ka trajtuar shumë mirë. Në 29 vjet nuk jam sëmurur kurrë. Madje as të ftohtë nuk kam marr në dimër. Besoj se do të qëndroj këtu për aq kohë sa shëndeti im të ma lejojë. Truri im është i qetë. Jam në paqe dhe vetëm jetoj shumë mirë”, ka treguar ai.