Manchester City dhe Real Madrid luajtën pa gola në ballafaqimin e tyre të parë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Los Blancos” u paraqitën pa Cristiano Ronaldon, i cili nuk është rikuperuar nga lëndimi
Cristiano Ronaldo i mungoi Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.
E me të munguan edhe golat në “Etihad Stadium”, pasi skuadrat u ndanë 0:0, duke e lënë të hapur kualifikimin për në finalen e madhe për ndeshjen e kthimit në Santiago Bernabeu.
Reprezentuesi portugez stërviti me ekipin por pak minuta para takimit u konfirmua lajmi se ai nuk është plotësisht i gatshëm për lojë.
“Nëse do të ishte një finale, do ta luaja edhe i lënduar” tha shkurt Ronaldo për mediat britanike. Kurse, në mungesë të tij, loja e Realit në sulm ishte dukshëm më e zbehtë.
Pjesa e parë nuk solli ndonjë rast ideal për shënim përveç se Manchester City mbeti pa mesfushorin David Silva i cili pësoi një lëndim dhe u desh të zëvendësohej në minutën e 41-të, kur në vend të tij në lojë u inkuadrua Kelechi Iheanacho. Kurse, pas intervalit Real Madrid e humbi edhe një tjetër futbollist të rëndësishëm.
Karim Benzema nuk ishte i gatshëm ta vazhdonte ndeshjen, pas dëmtimit që pësoi në fundjavë në ballafaqimin kundër Rayo Vallecanos. Zinedine Zidane në vend të tij e inkuadroi Jesen. Dhe, ishte pikërisht Jese ai që e rrezikoi seriozisht portën e “Citizens” duke goditur traversën në minutën e 72-të.
Kurse, vetëm shtatë minuta më vonë, Joe Hart e shpëtoi Cityn duke e dëbuar me këmbë topin pas goditjes me kokë nga Casemiro. “Los Blancos” ishin dukshëm më të mirë në periudhën e fundit të lojës por nuk e gjetën golin, të cilin tani u mbetet ta kërkojnë në Santiago Bernabeu.
Por, të njëjtin objektiv do ta ketë edhe Manchester City.