OVL-UÇK kanë lëshuar një reagim ndaj vendimit për dënimin e pjestarëve të grupit “Drenica 1” dhe “Drenica 2”, ku të gjitha këto vendime i cilësojnë si të orkestruara nga Beogradi dhe se ndërkombëtarët kanë ardhur për drejtësi e në fakt po bëjnë padrejtësi.
Më poshtë lexoni reagimin e plotë:
“Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Edhe sot, vendimet politike në emër të drejtësisë, të marrura ndaj bashkëluftëtarëve tonë në rastet Drenica 1 dhe Drenica 2, dëshmojnë se janë të orkestruara nga beogradi, janë veprime antishqiptare dhe përpjekje e vazhdueshme për kriminalizimin e luftës sonë çlirimtare, me tendenca për të barazuar luftën tonë të shenjtë me luftën kriminale dhe gjenocidale të Serbisë që e ka bërë në Kosovë.
Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, kundërshtojnë fuqishëm këto vendime, ashtu siç e kundërshtojnë krijimin e gjykatës speciale, sepse ndërkombëtarët që kanë ardhur për drejtësi, kanë bërë padrejtësi ndaj pjesëtarëve të Luftës së UÇK-së, gjë që edhe vet i kanë pranuar dështimet e tyre si UNMIK dhe EULEX.
Lirinë e fituam me gjak dhe falë luftës çlirimtare u krijuan Institucionet e Republikës së Kosovës, të cilat kanë obligim ta marrin kërkesën e mëhershme që ua kemi drejtuar për heqjen e kompetencave ekzekutive të EULEX-it. Gjithashtu, ju bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të mos e votojnë gjykatën speciale sepse vetëm kështu ndërpriten padrejtësitë ndaj luftës çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj.”/Indeksonline/