Prokuroria tash e disa javë ka nisur hetimet lidhur me listat e veteranëve nën dyshimin për keqpërdorim të këtij statusi. E kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sipas veteranëve të UÇK-së pas takimit me ta me 9 tetor, u ka thënë se Prokuroria ka afat një muaj për të hetuar listat e veteranëve.
Mirëpo, për Kryetarin e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, hetimi i listave nuk mund të përfundoj për një muaj.
Gucati për “Indeksonline” thotë se kryeministri Haradinaj nuk mund të caktoj afate prokurorisë. “Haradinaj nuk mund të jep afate se Politika është e ndarë nga gjyqësori, veprojnë në mënyrë të pavarur.
Megjithëse Listat e veteranëve nuk besoj që mund të përfundojnë as për një muaj se e dimë qysh janë ato, por dashtë zoti të përfundojnë” ka thënë Gucati.
Më tej, ai shprehet jo-optimist sa i përket hetimit të listave të veteranëve që kanë nxjerr 42 mijë veteranë.
“Sa i përket hetimeve të listave, nuk besoj shumë në rezultate, pasi me pas besu nuk ish do të ishte bërë, çka është bërë me to. Kështu që nuk jam shumë optimist” është shprehur Gucati.
Gucati ka shtuar se që pas takimit të fundit me prokurorinë para 20 ditë nuk kanë kontaktuar me të. “I ka mbi tri javë që nuk kemi kontaktu. Kontakti ynë i fundit ka qenë para 20 ditëve kur kanë ardhur te na dhe i kanë marr disa emra me cd nga kompjuterët” ka thënë Gucati.
Indeksonline ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë lidhur me hetimit e listave të veteranëve javën e kaluar, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje e as nuk janë përgjigjur telefonatave./Indeksonline/