Kategoritë e dala nga lufta kanë përsëritur qëndrimin e tyre se Dimal Basha duhet të shkarkohet nga pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. OVL-UÇK ka reaguar pasi Basha tha sot se ka kërkuar largimin e emrit të tij nga artikulli ku flitet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Qëndrimi ynë mbetet i qartë: Dimal Basha duhet të shkarkohet menjëherë nga posti i Kryetarit të Kuvendit. Jemi në pritje të iniciativës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve tashmë u kemi drejtuar një kërkesë zyrtare për këtë çështje”, thuhet në reagimin e kategorive të dala nga lufta.
Basha tha të hënën, më 1 shtator, se nuk ka qenë në dijeni se shkrimi i tij për fundamentalizmin islamik ishte në bashkautorësi me autoren Jana Arsovska, derisa një gjë e tillë është publikuar në media.
Për këtë arsye, Basha tha se ka dërguar një email zyrtar, ku ka kërkuar që krahas emrit të tij, të largohet edhe kapitulli i shkruar prej tij në artikullin ku mes tjerash, thuhej se “UÇK-ja është financuar nga trafikantët e drogës”.
“Unë edhe një herë kërkoj falje për pavëmendjen, por në asnjë moment askush nuk guxon të vë në dyshim atdhetarizmin tim”, tha ai.
OVL-UÇK tha se qëndrimet e shprehura në punimin e tij shkencor të vitit 2012 bien ndesh me betimin kushtetues që ai ka dhënë si deputet dhe Kryetar i Kuvendit, “si dhe me respektin ndaj themeleve të shtetit tonë, të ngritura mbi sakrificën e Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të lirisë”.
Punimi akademik, në të cilin Basha ishte bashkautor, nxiti reagime të shumta vetëm një ditë pasi ai u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Punimi mban titullin: Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta.



















