
OVL UÇK/ Foto: Ridvan Slivova
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar për hipokrizi politike dhe për negocim të hapësirave të reja për strukturat ilegale të Serbisë – brenda Kosovës.
Reagimi i OVL-së vjen pas zhvillimeve të sotme lidhur me Ligjin për të Huajt, që njëherazi iu lejon serbëve të aplikojnë për leje qëndrimi në Kosovë, edhe me dokumentet e tyre identifikuese të lëshuara nga strukturat paralele.
Në një komunikatë për media, OVL e UÇK-së e konsideron “skandal politik dhe moral” deklarimin e Kurtit se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, duke thënë se në realitet po krijohen mekanizma që u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës.
“Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve të UÇK-së dhe të të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë shtet si amanet të luftës çlirimtare” thuhet në komunikatë.
Kjo është komunikata e plotë:
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagon ashpër ndaj hipokrizisë politike të kryeministrit Albin Kurti, i cili për vite me radhë ka ndërtuar karrierën e tij mbi retorikë patriotike, ndërsa sot po konfirmohet sërish se në prapaskenë ka negociuar hapësira të reja për strukturat ilegale të Serbisë brenda shtetit të Kosovës.
Është skandal i rëndë politik dhe moral që Kurti para qytetarëve dhe para botës deklaron se strukturat paralele të Serbisë janë shuar, ndërkohë që në realitet po krijon mekanizma që u japin atyre rol në zbatimin e ligjeve të Republikës së Kosovës.
Kjo nuk është politikë shtetformuese, por mashtrim i pastër ndaj qytetarëve dhe ndaj vetë shtetit tonë.
Qeveria Kurti po e rikonfirmon vazhdimisht se e gjithë retorika e saj për “sovranitet” dhe “mbrojtje të shtetit” ka qenë vetëm propagandë për konsum politik. Në praktikë, kjo qeveri e ka izoluar Kosovën nga aleatët e saj kryesorë dhe tani po përfundon duke bërë pikërisht kompromiset për të cilat për vite të tëra i ka akuzuar të tjerët për tradhti kombëtare.
Veteranët e UÇK-së nuk do të heshtin përballë politikave të Qeverisë Kurti që relativizojnë sakrificën e luftës çlirimtare dhe që hapin derën për ndikimin e Serbisë brenda institucioneve të Kosovës. Shteti i Kosovës nuk është pronë e asnjë qeverie dhe nuk do të lejojmë që ai të përdoret si instrument propagande për pushtet.
Kosova është ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve të UÇK-së dhe jo mbi pazare politike në prapaskenë. Çdo përpjekje për ta cenuar këtë sakrificë do të përballet me reagimin e veteranëve të UÇK-së dhe të të gjithë atyre që e konsiderojnë këtë shtet si amanet të luftës çlirimtare.



















