Në Rogovë të Hasit Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon pastrimin e listave nga veteranët e rremë.
Për një vit e gjysmë u hoqën më shumë se 1, 000 emra të personave, të cilët nuk arritën të dëshmonin se ishin luftëtarë, raporton ATV.
“Kur e kemi marrë përsipër organizatën, numri ka qenë 4682 veteranë. Pas një viti e gjysmë i kemi heq 1, 300 veteranë, duke i shkëputë nga paga në mungesë të dëshmive dhe dokumentacionit”, thotë Xhevdet Thaçi kryetar i OVL të UÇK në Rogovë.
Procesi i pastrimit që bëhet përmes dorëzimit të dosjeve në prokurori nuk është i lehtë.
“Kemi pasur vështirësi, kërcënime. Por, këto nuk na ndalin…”, thotë një veteran i kësaj organizate.
Megjithatë, ka optimizëm se lista do të pastrohet tërësisht.
“Besoj se në vitin 2024 zona jonë e Hasit do jetë tërësisht e pastër. Do të kthehet numri në 1200”, tha Thaçi.
Ndërkohë, në qendër procesi i pastrimit të listave ka ngecur, meqenëse ka edhe proces gjyqësor ndaj komisionit për verifikimin e veteranëve.
Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar nëse ka ndonjë plan konkret për nisjen e procesit të pastrimit listave në nivel shtetëror.
Për këtë çështje të paktën deri në publikimin e kësaj kronike nuk është deklaruar as Organizata e Veteranëve të Luftës. Megjithatë, sugjerohet që puna në këtë drejtim të fillojë sa më shpejt.
“Pastrimi i listave së pari do t’u shërbente vetë veteranëve, për shkak se ne si IKD e kemi thënë që ka pasur fryrje. Dhe vetëm përmes proceseve gjyqësore do pastrohen, dhe më pastaj të mos kemi probleme që na shfaqen”, thonë në OVL të UÇK.
Organizata e Veteranëve ka shprehur pakënaqësitë pas miratimit të Ligjit për Pagën minimale, pa u përfshirë pensioni i veteranit.
Sipas të dhënave të Qeverisë, statusin e veteranit e kanë 53.000 persona. Kryeministri Kurti që gjatë luftës punonte në zyrën politike të UÇK-së, disa herë ka deklaruar se veteranë nuk ishin më shumë se 20.000 persona.