Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu (FB)
Që nga prilli, Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit. Nga atëherë, presidentja nuk ka vendosur për kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit i ka kompetencat e plota. Megjithëkëtë, juristë e pjesëtarë nga shoqëria civile thonë se është koha që presidentja të marrë një vendim për kryeprokurorin.
Pas përfundimit të mandatit të ish-kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, këtë post, që nga prilli po e ushtron Besim Kelmendi. Për dekretimin ose jo, të Blerim Isufajt, i propozuar për kryeprokuror të shtetit nga Këshilli Prokurorial, presidentja Vjosa Osmani akoma nuk ka marrë një vendim.
Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se përkundër faktit që procesi i përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të shtetit ishte jo transparent dhe jo i bazuar në meritokraci, presidentja duhet të vendosë për kandidatin e propozuar.
“Pozita e kryeprokurorit të shtetit, në 7-8 vitet e fundit nuk është se ka pasur ndonjë rol të rëndësishëm, se a ka qenë me ushtrues detyre apo kryeprokuror. Nuk është se kemi parë ndonjë rezultat në luftën kundër korrupsionit, kundër kriminalitetit apo edhe në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive që ia cakton kushtetuta dhe ligji. Megjithëkëtë, besoj se ka ardhur koha që presidentja të marrë një vendim në lidhje me procesin për kryeprokurorin e shtetit”, tha ai.
Edhe Mexhide Demolli-Nimani, nga Lëvizja “Fol”, thotë se pavarësisht arsyetimeve të dhëna, është koha që presidentja Osmani të ndërpresë zvarritjen e mos vendimmarrjes për kryeprokurorin e shtetit.
“Presidentja duhet të marrë një vendim, qoftë me dekretim ose mos dekretim të kandidatit për kryeprokuror, i cili ka dalë nga një proces, për çka ne si monitorues, kemi pasur vërejtje e të cilat i kemi adresuar dhe kemi kërkuar në fakt nga presidentja që të njëjtin mos ta dekretojë. Mirëpo, si do që të jetë, ajo duhet ta marrë një vendim, sepse nuk mund të zgjatet edhe më tutje ky proces dhe organin më të lartë të akuzës ta kemi me ushtrues detyre”, tha ajo.
Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Presidentes se kur mund të ketë një vendimmarrje për cështjen e kryeprokurorit të shtetit. Por, përkundër insistimit e pritjes disa ditore nga Presidenca nuk kanë kthyer përgjigje. Ndërkohë, nga KPK në një përgjigje me shkrim kanë thënë shkurt se “nuk kemi informacione”, se kur pritet të vendoset për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt, kandidat i propozuar për kryeprokuror të Shtetit.