Në kuadër të konsultimeve me subjektet politike parlamentare për konstituimin e legjislaturës së nëntë, presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik.
Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit, raporton KosovaPress.
Kujtojmë, deputetët e zgjedhur do të mblidhen nesër për herë të dyzet e nëntë herë, në vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
Vazhdimi i kësaj seance vjen pas më shumë se pesë muaj pesë që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Vazhdimet e deritanishme të seancës për konstituimin e legjislaturës së re kanë dështuar pasi koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa nuk kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit.
Albulena Haxhiu ka dështuar në gjashtë përpjekje për të marrë votat e nevojshme në votim të hapur, dhe po ashtu ka dështuar edhe formimi i komisionit për votim të fshehtë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se nëse nuk konstituohet Kuvendi i Kosovës deri më 26 korrik, afat i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, duhet të ketë pasoja juridike për deputetët.
Ajo theksoi se janë duke përgatitur lëndën për interpretim kushtetues për krizën politike, dhe nëse nuk ka formim të institucioneve as gjatë këtij vikendi, atëherë në fillim të javës së ardhshme do ta dërgojnë çështjen në organin më të lartë juridik të vendit.


















