Presidentja Vjosa Osmani në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Lituani e ka vizituar edhe qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës ku ka takuar refugjatët ukrainas.
“E shoqëruar nga ministrja e Punëve të Brendshme të Lituanisë, znj. Agnė Bilotaitė, Presidentja Osmani ka vizituar qendrën e regjistrimit për refugjatët e luftës, ku bashkëbisedoi me refugjatë ukrainas dhe me organizata humanitare të cilat po i dalin në ndihmë refugjatëve, shumica nga të cilët gra dhe fëmijë”, thuhet në komunikatnë e presidencës.
“Populli i Kosovës e ka përjetuar ngjashëm tmerrin e luftës, gjenocidit dhe dëbimit me dhunë nga shtëpitë e tyre, prandaj u solidarizuam me ukrainasit, krah të cilëve janë bashkuar të gjithë popujt liridashës të botës”, ka thënë Osmani.
Po ashtu, Osmani ka vendosur kurorë lulesh në kujtim të dëshmorëve të rënë në përpjekje për ta rikthyer lirinë dhe demokracinë në Lituani.
Ajo njashtu ka folur edhe para një grupi akademikësh dhe studentes të Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Shkencave Politike në Universitetin e Vilniusit, ku e ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së demokracisë, dhe ku ka thënë se lufta barbare dhe gjenocidale e Rusisë në Ukrainë është dëshmi se sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla, liria dhe sovraniteti, si dhe vlerat tona të përbashkëta demokratike nuk duhen asnjëherë të merren si të mirëqena.
Presidentja e ka vizituar edhe qytetin e Kaunasit në Lituani i cili sivjet është kryeqyteti evropian i kulturës, ku është takuar me kryetarin e Komunës Visvaldas Matijošaitis dhe ka vizituar Muzeun Kombëtar të Artit ku janë shfaqur ekspozita të ndryshme, përfshirë edhe mbi mbijetesën e shtypjes në Kaunas.



















