Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Presidenca shtoi se në këtë samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës europiane të rajonit.
Përgjatë samitit, Presidenca tha se Osmani do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës.
“Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve”, tha Presidenca.
Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.
Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.


















