Osmani u kërkon partive të vogla ta zbatojnë aktgjykimin e Kushtetueses

E publikuar: 03/07/2025 21:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të ciklit të ri të konsultimeve lidhur me konstituimin e Kuvendit, në dritë të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr.KO124/25, ka mbajtur sot takimet konsultative me liderë të partisë: Guxo, Alternativa, ZSP, KDTP, IRDK, SDS, JGS, PREBK, NDS dhe Koalicionit VAKAT.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion.

“Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidencës.

Po ashtu Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.

“Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim”, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së djeshme, në kuadër të takimit konsultativ me liderë të partive politike, Osmani ka takuar kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.