Osmani thotë se Thaçi mund të shkelë rezolutën, fton për protestë masive paqësore kundër tij

E publikuar: 28/08/2018 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ndonëse miratimi i rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër diskutimit për territor të Kosovës është e rëndësishme, e njëjta mund të mos përfillet nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Rezoluta e Kuvendit të Kosovës do të jetë e rëndësishme, por me gjasë e pamjaftueshme, për të ndalur aventurat e rrezikshme të Thaçit në dëm të sovranitetit të vendit. Thaçi mbanë titullin e kampionit për shkelje të Rezolutave të Kuvendit”, thotë Osmani në një postim në Facebook, raporton Koha.net.

E për këtë arsye, Osmani thotë se qytetarët duhet dalë në protestë masive, por paqësore, për të penguar shkuarjen e presidentit Thaçi në Bruksel.

“Prandaj, më 7 shtator, kur Thaçi udhëton për Bruksel për të bërë edhe një hap tutje drejt ndarjes së Kosovës, ne qytetarët e Kosovës, do të duhej të protestonim paqësisht, por masovikisht, për t’i dëshmuar atij dhe kujtdo tjetër që Kosova është një dhe e pandashme”, ka shkruar deputetja më e votuar femër në Kuvendin e Kosovës.

Presidenti Thaçi, më 7 shtator do të shkojë në Bruksel për t’u takuar me homologun e tij serb, Vuçiq, ku pritet të negociojë, siç po thotë ai, korrigjimin e kufijve të Kosovës.

Ndaj kësaj ideje kanë dalë kundër e gjithë opozita në vend, por edhe partia e kryeministrit Haradinaj.