Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) Kosovë, së bashku me Zyrën e Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDCO), kanë organizuar “Vija që Pikturon Rinia”, ekspozitën e pikturave dhe ndarjen e çmimeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e vlerësoi ekspozitën si një hap të rëndësishëm sensibilizues. Ajo tha se të rinjtë e Kosovës po e vizatojnë qartë “vijën e kuqe” kundër dhunës dhe padrejtësisë.
Osmani nënvizoi se nuk ka progres pa barazi dhe nuk ka drejtësi pa llogaridhënie.
“Kjo konferencë vjen nga duart e të rinjve tanë. Nuk është vetëm një vend për t’u takuar dhe për të festuar kreativitetin, por mbi të gjitha është një vend vetëdijësimi, kur ka nevojë, aq më shumë. Në një ditë kur dhuna me bazë gjinore është kaq e dukshme, çfarë thotë kjo për shoqërinë tonë, e cila me çdo ditë që kalon ende nuk shërohet plotësisht dhe vazhdon ta ketë këtë plagë të hapur, të pasqyruar edhe në artin e nxënësve?
Është një vijë e kuqe, një vijë e kuqe që brezi i ri po e vizaton qartë, kundër dhunës dhe padrejtësisë. Çdo pikturë që pamë sot përcjell një mesazh të fuqishëm. Disa prej tyre tregojnë histori dhimbjeje, histori rezistence, por mbi të gjitha secila prej tyre bart një histori shprese”.
Tutje, presidentja tha se kur të rinjtë e ngrisin zërin, shoqëria ecën përpara.
Kur të rinjtë ngrisin zërin, shoqëria gjithmonë ecën përpara. Ky është rrëfimi i Republikës sonë, Kosovës. Puna jonë nuk duhet të ndalet kurrë derisa të ndërtojmë një kulturë ku çdo vajzë dhe çdo djalë rriten të sigurt, të barabartë dhe të mbrojtur.
Brezi juaj është brezi i parë në historinë e Kosovës që po rritet në paqe, larg luftës, por beteja jonë e përditshme tani zhvillohet në një front tjetër — mes nesh dhe dhunës me bazë gjinore. Dhe kjo plagë, kjo betejë, nuk shërohet me heshtje. Ajo mund të zhduket vetëm me veprim, solidaritet dhe me guximin për të thënë “mjaft”.
Prandaj ajo që po bëni ju, të rinj të jashtëzakonshëm, është thelbësore. Ju po na kujtoni se arti mund të jetë më i fuqishëm se frika, se kreativiteti mund të jetë një formë rezistence dhe se një pikturë mund të ndryshojë mënyrën si e shohim botën, madje edhe vetë botën.
Për guximin tuaj dhe për mesazhin që po i dërgoni gjithë Kosovës: nuk ka progres pa barazi. Nuk ka liri pa dinjitet për secilin. Nuk ka drejtësi pa llogaridhënie. Kështu që sonte, secili prej jush është fitues. Jo vetëm sepse keni krijuar një pikturë të bukur, por sepse i keni dhënë jetë kauzës sonë për drejtësi dhe barazi”, ka thënë Osmani./EO



















