Osmani takon ambasadorin amerikan, kërkon mbështetje nga SHBA për pasojat e ngritjes së çmimeve

E publikuar: 10/03/2022 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pritur në takim të rregullt ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier.

Në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, rajon dhe më gjerë nga ndikimet në ekonomi dhe në fushën e sigurisë nga lufta në Ukrainë.

“Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në adresimin e pasojave ekonomike nga ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore bazë në Kosovë.”, thuhet në njoftimin për media.

Tutje është thënë se Osmani gjithashtu potencoi se mbështetja e Shteteve të Bashkuara është qenësore për thellimin e raporteve dhe bashkëpunimit me NATO-n duke marrë parasysh synimin legjitim të Republikës së Kosovës për të qenë pjesë e Aleancës veri-atlantike, programit të Partneriteti për Paqe dhe Kartës së Adriatikut.

Ndryshe përpos ngritjes së çmimeve në faturat e energjisë elektrike si dhe në ngritjen më të madhe të çmimeve në derivate për 20 vitet e fundit në vend, ngritje ka edhe në produktet ushqimore.

Duke mos shkuar më larg ngritje të jashtëzakonshme të çmimeve së fundi në Kosovë ka në produktet bazë ushqimore.

Miell, kripë, vaj e shumëçka tjetër që u duhet me domosdo qytetarëve tashmë po shitet me çmime marramendëse.

Kjo situatë shqetësuese për qytetarët u duk e “zgjidhshme” për kryeministrin Albin Kurti.

Ai dje madje nuk e zgjati shumë deklarimin, përpos që situatën e lidhi me agresionin rus në Ukrainë dhe luftën të cilën po zhvillohet atje.

Edhe pse shumë prej marketve produktet në fjalë vazhdojnë ti marrin me çmim të njëjtë, ato po shiten me çmim super të shtrenjtë, e askush nuk po i kontrollon siç duhet.