Osmani takoi ambasadoren e Emirateve të Bashkuara Arabe: Diskutuan për Forumin ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

E publikuar: 27/03/2024 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren jorezidente të Emirateve të Bashkuara Arabe në Kosovë, Nabila Abdulaziz Al Shamsi, me ç’rast diskutuan për zhvillimet e fundit si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Emirate të Bashkuara Arabe.

Në takim me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani theksoi se Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e procesit tashmë të përfunduar të heqjes së vizave për qytetarët e të dy shteteve, si hap përpara drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Me ambasadoren Al Shamsi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani i falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për përkrahjen në shumë fusha, me theks të veçantë në shëndetësi.