Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në në takim kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.
Në këtë takim Osmani ka ngritur një sërë çështjesh, si dhe i ka ofruar mbështetjen e plotë të saj për çështje, të cilat paraqesin interes qytetar, njofton Klankosova.tv.
Sipas presidentes, Prishtina ka peshë të rëndësishme në vend, prandaj zhvillimi i saj, kujdesi ndaj jetës së qytetarëve në komunë dhe aftësia për ta zhvilluar atë ka ndikim në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.
Në takim është diskutuar për fuqizimin e pozitës së grave në funksion të transformimit pozitiv të shoqërisë, në përgjithësi si dhe për projekte konkrete në këtë drejtim.
Siç bën të ditur Zyra e Presidentes, Osmani ka shtruar çështjen e rritjes së kujdesit ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, e sidomos sigurimin e qasjes së tyre në të drejta të barabarta si dhe ka ofruar bashkëpunim për projekte të përbashkëta në këtë drejtim.
Në mënyrë të veçantë, ajo u interesua për Qendrën për Down Sindrom dhe Autizëm, për të cilën kryetari Rama e njoftoi Presidenten se deri në fund të shtatorit pritet të përfundojë ndërtimi i saj.
Më tej, Osmani dhe Rama diskutuan edhe çështjen e kujdesit të cilin Kosova duhet ta tregojë ndaj kategorive të caktuara sociale, përfshirë të moshuarit.
“Kushtet e jetesës së tyre tregojnë kujdesin tonë si shoqëri ndaj kategorive të margjinalizuara. Prandaj, përmirësimi i kushteve në Shtëpinë e të Moshuarve, si dhe ndërtimi i qendrave të reja për këtë kategori, krahas ndërtimit të qendrave për rehabilitimin e personave të varur nga substanca narkotike, janë shumë të rëndësishme”, ka theksuar Osmani.
“Osmani kërkoi nga komuna e Prishtinës trajtimin me prioritet edhe të çështjes së qenve endacakë, teksa u diskutua se si mund të shfrytëzohen modele të shteteve të ndryshme të avancuara për ta trajtuar këtë çështje që është shndërruar në problem sigurie për qytetarët. Presidentja dhe Rama diskutuan edhe për mundësinë e ndërtimit të objektit të Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, institucion ky që ngërthen në vete jo vetëm historinë e Presidentit Rugova, por edhe të shtetndërtimit të Kosovës” thuhet në kumtesë.
Nga ana tjetër, Rama e njoftoi Presidenten për projektet e komunës së Prishtinës dhe synimin për ta bërë kryeqytetin shumëqendërsh si dhe për çështje të tjera në të cilat mund dhe duhet të bashkëpunojnë niveli lokal dhe niveli qendror, në interes të qytetarëve që përfaqësojnë.