Osmani takohet me presidentin e Letonisë: Anëtarësimi i Kosovës në KE i domosdoshëm

E publikuar: 23/09/2022 14:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidentin e Letonisë Egils Levits.

Kështu është njoftuar përmes një komunikate për media ku është shtuar se, në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale në Kosovë, rajon dhe pasojat e zhvillimeve të fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, shkruan lajmi.net.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve në New York, ka takuar homologun e saj të Letonisë, Egils Levits, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë dhe pasojat e zhvillimeve të fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Po ashtu njoftohet se Osmani ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie.

Komunikata e plotë:

Presidentja Osmani takoi presidentin e Letonisë, Egils Levits

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve në New York, ka takuar homologun e saj të Letonisë, Egils Levits, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, situatën aktuale në Kosovë, rajon e më gjerë dhe pasojat e zhvillimeve të fundit në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Levits për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, në veçanti në funksion të konsolidimit ndërkombëtar.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është domosdoshmëri për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës pa dallim përkatësie.

Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe pasojat e tyre në raport me paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian. Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova është tërësisht në linjë me qëndrimet e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, NATO-s dhe BE-së kundër luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Presidentja Osmani dhe homologu Levits diskutuan edhe për thellimin e raporteve bilaterale dhe ngritjes së tyre në nivel të partneritetit strategjik në fushën e mbrojtjes, sigurisë kibernetike dhe digjitalizimit.