Osmani: Shtesat për policë të domosdoshme për trajtim të drejtë dhe të dinjitetshëm

E publikuar: 07/08/2020 13:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka takuar sot kryetaren e sindikatës së policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, dhe kryetarin e rajonit të Gjilanit të sindikatës së policisë së Kosovës, Ragip Ajeti.Përfaqësuesit e Sindikatës së policisë së Kosovës e njoftuan znj.
Osmani me sfidat me të cilat po ballafaqohen policët gjatë pandemisë, duke përmendur orarin e tejzgjatur, moskompensimin e angazhimit në ndërrimin e natës si dhe orëve shtesë.

Sipas tyre, shpërfillja e kategorisë së policëve nga Qeveria përbën shqetësim dhe zhgënjim të kësaj kategorie. Kryetarja Osmani, ndërkaq, theksoi se është e pafalshme që policët e Kosovës, të cilët me profesionalizmin e tyre kanë bërë që policia e Kosovës tradicionalisht të cilësohet ndër institucionet më të besuara në vend, të trajtohet në mënyrë të padinjitetshme,transmeton Ekonomia Online.
Ajo pohoi se kontributi i policisë së Kosovës në menaxhimin e pandemisë është i pazëvendësueshëm. Rrjedhimisht, ajo tha se institucionet e Kosovës duhet ta njohin kontributin e policëve duke i plotësuar kërkesat e tyre, të cilat ajo i cilësoi si minimale. Duke rikujtuar se ajo ka qenë e zëshme në artikulimin e kërkesave të policëve në Kuvend, sidomos të kërkesës për dhënie të shtesave gjatë pandemisë, kryetarja Osmani e siguroi Sindikatën e Policisë së Kosovës se do të vazhdoj ta ngrisë zërin që policët të marrin trajtimin e merituar nga Qeveria e Kosovës.​