
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se Epopeja e Dukagjinit, është flakadan i lirisë.
Ajo ka vizituar Gllogjanin me rastin e 27 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit, ku është pritur në odën e Haradinajve.
“Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë. Me nderimin më të madh përkulemi para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë. Ata u bënë simbol i rezistencës, guximit dhe besimit në lirinë e Kosovës.:, ka shkruar ajo.
Osmani tha se në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve “na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!”